E Shtunë, 31 Tetor 2026

SHBA, frenohet rritja e papunësisë

Numri i punëtorëve amerikanë që regjistrohen në listat e mbrojtjes së të papunëve u pakësua javës së shkuar, duke rënë në 12 mijë. Lajmin e bëri të ditur Departamenti i Punës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, i cili sqaroi se ishte hera e parë që prej fillimit të krizës që ky tregues shënonte ulje. Kërkesat për përfitimet që ofron sigurimi i papunësisë qenë 631 mijë për javën e dytë të majit, nga 643 mijë të një jave më parë, njoftoi Departamenti amerikan i Punës.

Indeksi i aksioneve të bursës amerikane gjithashtu u rrit pas këtij lajmi, ndërsa çmimet e bonove të thesarit të emetuara nga shteti amerikan mbetën në nivele më të larta se më parë, ndërkohë që dollari e ruajti të pandryshuar vlerën e vet kundrejt monedhave të tjera botërore. "Mendoj se shifrat vazhdojnë ende të flasin për një ekonomi të dobët", tha Subodh Kumar, shef i analistëve të strategjive në një shoqëri investimesh në bursë. "Kompanitë që do munden të vënë të parat kostot nën kontroll do jenë gjithashtu të parat që do nisin rikthimin e njerëzve në punë, por nuk besoj se do dëgjojmë për numra të mëdhenj punësimesh deri në tremujorin e fundit të vitit".

Recesioni më i rëndë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës që prej depresionit të madh ka mbyllur deri tani 5 milionë vende pune, që në çastin e fillimit të tij në fundin e vitit 2007. Ndërkohë që me gjithë lajmet e rralla për ndonjë tregues që flet për njëfarë përmirësimi ekonomik, tregu i punës mbetet në gjendje të rëndë. Numri i njerëzve që iu drejtuan asistencës që ofron statusi i të papunit u rrit me 70 mijë gjatë javës që u mbyll më 9 maj, duke e çuar shifrën e të papunëve në 6.662 milionë. Analistët kishin vlerësuar se kjo shifër nuk do të ishte më shumë se 6.65. Ishte java e 16 radhazi që regjistrimet e të papunëve shënuan rekorde të vazhdueshme.

"Jam shumë i kënaqur që kemi këtë mesatare të re, e cila flet për rënie dhe se po nisim të regjistrojmë shifra pozitive", tha Xhon Riding, analist në Departamentin amerikan të Shtetit. "Po besoj se kemi nevojë për më tepër sinjale, që tregojnë uljen e trendit të shtimit të papunësisë, gjë që do na tregonte se recesioni më në fund po nis të ndalet".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›