E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Turi i Bajden, ngjarje e madhe për të gjithë rajonin

Kryeministri Berisha e vlerëson vizitën e zëvendëspresidentit Bajden në rajon si një rikonfirmim të mbështetjes së vyer të Presidentit Obama dhe administratës së tij. Gjatë ditës së djeshme, zëvendëspresidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Xhozef Bajden, miku i madh i kombit shqiptar dhe lirisë së tij, zhvilloi një vizitë historike në Kosovën e pavarur. "Kjo përbën një ngjarje të madhe kulmore në marrëdhëniet e shkëlqyera që ekzistojnë mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës; përbën një mbështetje të fuqishme për Kosovën në përpjekjet e saj për ndërtimin dhe konsolidimin e shtetit të demokracisë, të bazuar në vlerat e tregut dhe për kontributin e saj si një faktor themeltar për paqen dhe stabilitetin në Rajon", u shpreh zëdhënësja Juela Meçani, e cila nëpërmjet deklaratës për shtyp pasqyroi mesazhin e Kryeministrit Sali Berisha. "Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Sali Berisha, vlerëson se turi i zëvendëspresidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, zotit Xho Bajden, në vendet e rajonit, është një ngjarje e madhe si për ato vende që zëvendëspresidenti Bajden vizitoi, por edhe për mbarë vendet e rajonit; është një rikonfirmim i ndihmës dhe mbështetjes së vyer të Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, zotit Barak Obama, dhe administratës së tij", tha Meçani. Sipas saj, "kjo vizitë është një mbështetje dhe inkurajim i fuqishëm për të gjithë popujt e rajonit, për të shkruar një kapitull të ri bashkëpunimi dhe miqësie të historisë së tyre evropiane dhe euroatlantike".


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›