E Shtunë, 31 Tetor 2026

Partitë përfitojnë, studentët pësojnë

Manipulimi me pakënaqësinë e studentëve dhe kanalizimi ose shndërrimi i revoltës së tyre në poenë (përfitim) politike, është "produkti" më i pëlqyer dhe joshës i partive politike shqiptare në Maqedoni. Sikur në asnjë vend tjetër, partitë e këtushme, varësisht nga pozicionet (në pushtet ose opozitë), pakënaqësinë e studentëve e shfrytëzojnë në "energji" për të përforcuar pozicionet e tyre. "Leksioni i këtillë i reprizuar tanimë vite me radhë nga dy subjektet aktuale politike më të fuqishme në Maqedoni: BDI dhe PDSH, si duket po merr përmasa dramatike, duke u shfaqur në forma të përbindshme. Kjo, gjithsesi, se Universitetit Shtetëror të Tetovës (USHT) dhe studentëve do t‘u kushtojë shumë, ndërsa këta të fundit më së shumti do ta pësojnë, sepse po luhet në mënyrë tepër të ulët me dinjitetin dhe statusin e tyre.

Paramendoni, kush janë "mbështetësit" dhe "kundërshtarët" e protestave të studentëve: PDSH dhe BDI! Militantët e PDSH-së, deri dje, revoltën e studentëve dhe atyre që mendonin ndryshe në këtë universitet, përpiqeshin ta shuanin me anë të dhunës, duke rrahur studentë dhe BDI-ja, e cila rrihte gjoksin se ka zyrtarizuar dhe legalizuar USHT-në, dhe se ky ka qenë "amanet i dëshmorëve", ndërsa tani për buxhetin e USHT-së sillet sikur të bëhet fjalë për universitetin e Kongos.

Jo pak faj në këtë drejtim kanë edhe profesorët e pangopur me "pushtet", të cilët për t‘u bërë drejtues (rektorë) të USHT-së, servilitetin e kanë në majë të gjuhës: herë dorën ia puthin Ali Ahmetit, e herë Menduh Thaçit, vetëm e vetëm të marrin karrigen numër një në këtë institucion arsimor. Një sjellje e këtillë, e padenjë për profesorët akademikë, siç duket është shndërruar në praktikë të mbrapshtë në këtë institucion të lartë arsimor në gjuhën shqipe.

Fatkeqësisht, sindroma e këtillë sikur po "infekton" edhe grupacione të ndryshme të studentëve. Ata, edhe pse kanë shumë të drejtë për të manifestuar pakënaqësinë e tyre lidhur me shkurtimin e buxhetit (i cili është tepër nënçmues në krahasim universitetet e tjera në gjuhën maqedonase), në mesin e tyre, me ose pa qëllim, kanë futur edhe individë të politikës, të partive të ndryshme, që dorën në zemër, protestës po i japin kahje krejtësisht tjetër.

Një imazh dinjitoz i studentëve të revoltuar s‘do të kishte lënë asnjë politikan të përfshihet në këtë pakënaqësi, sepse me këtë rast politikanët më së shumti po përfitojnë. Ata janë të pamëshirshëm. Shikoni reagimet e tyre: lot false, gjoja për studentët. Kjo ma përkujton atë laviren e cila po qante gjoja për "virgjërinë e humbur"! Pakënaqësia e studentëve në rastin konkret duhet të dalë në shesh në mënyrë të kristaltë, sepse për një gjë të tillë ka bazë, sidomos nëse u hidhet një vështrim analitik shifrave të mjeteve financiare që ndahen proporcionalisht për universitetet, ku USHT-ja del më e diskriminuar.

Politizimi i këtij institucioni arsimor, sërish në "piramidën" drejtuese të USHT-së, do të sillte kuadro të dirigjuar nga politika, të cilët asnjëherë nuk i sollën ndryshimet e nevojshëm universitetit konform standardeve, por, përkundrazi, ata ishin gjeneratorë të rreshtimit nëpër vende pune të kuadrove (profesorëve) me diploma të blera në kioska nëpër shtetet fqinje. Pikërisht një përzgjedhje e këtillë sot në dy universitetet në gjuhën shqipe në USHT dhe Universitetin e Evropës Juglindore, ka bërë që profesorë të ndryshëm të na "mbysin" me promovimin e librave "shkencorë" (plagjiat vetëm të përkthyer nga gjuhë të huaja).

Mënyra më e mirë për manifestimin e pakënaqësisë është ajo e mospërfilljes së politikës gjegjësisht të politikanëve, ngado qofshin ata. Modeli i këtillë do të mbështetej pa rezervë edhe nga të gjithë shqiptarët e këtushëm. Mesazhi dhe presioni nga protestat e këtilla do të ishte shumë më i suksesshëm dhe i detyrueshëm për qeverinë. Në këtë mënyrë, do t‘i jepej edhe "grushti" i merituar atyre që përpiqen të përfitojnë nga USHT-ja, respektivisht revolta e studentëve.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›