E Diel, 1 Nëntor 2026

Britani, shërbimet sekrete shantazh myslimanëve

Pesë punëtorë myslimanë kanë akuzuar shërbimet sekrete britanike për ushtrim shantazhi, me qëllim rekrutimin e tyre si informatorë. Të pestë tregojnë se janë vënë nga ana e agjentëve të MI5-ës përpara zgjedhjes së bashkëpunimit me Shërbimet e Sigurisë, burgut apo përndjekjes, si në territorin britanik ashtu edhe përtej tij. Myslimanët ia kanë drejtuar akuzat policisë, mekanizmit që mbikëqyr punën e Shërbimit të Sigurisë, si dhe deputetit të zonës. Së fundmi vendosën që të flisnin publikisht për persekutimin në të përditshmen britanike "The Independent", me shpresën se kjo do ta detyronte MI5-ën të hiqte dorë nga këto taktika.

Të dhënat e mbledhura nga informatorët sekretë janë të vyera për parandalimin e aktiviteteve terroriste, por e përditshmja britanike ngre pikëpyetje mbi persekutimin e myslimanëve të rinj prej Shërbimit të Sigurisë. Tre prej myslimanëve kanë treguar se janë mbajtur në aeroporte të huaja nën kërkesën e MI5-ës në çastin që janë larguar prej territorit britanik për pushime vitin e shkuar. Pas kësaj u kthyen në Britani, ku janë marrë në pyetje gjatë prej oficerëve të shërbimeve sekrete nën akuza për lidhje me terrorizmin islamik. Në të tria rastet, oficerët i kishin kërcënuar se nuk do të ndaleshin më e as do të rrezikonin burgimin, në rast se pranonin të bashkëpunonin. Kur myslimanët refuzuan, agjentët ndërruan taktikë dhe nisën shantazhet përmes telefonatave e kërcënimeve të llojeve të ndryshme.

Dy myslimanë të tjerë janë kontaktuar nga MI5-a, pasi një agjent u ishte paraqitur fillimisht si postier. Që të pestë myslimanët, mes moshave 19 dhe 25-vjeçare, janë kërcënuar, që në rast se nuk bëhen informatorë, do të konsiderohen të dyshuar për terrorizëm. Një i ri tjetër është mbajtur nga agjentët e MI5-ës për tre orë pas kthimit nga muaji i mjaltit. Edhe ai deklaroi se ishte kërcënuar që të pranonte të bashkëpunonte.

Një agjente, së cilës "The Independent" i referohet si Katerina, e ka kërcënuar në rrugë të drejtpërdrejtë qytetarin Adydarus Elmin, 25-vjeçar, punonjës kinemaje. Në një telefonatë e ka uruar për lindjen e vajzës, ndërsa e shoqja ishte në muajin e shtatë të shtatzënisë - të dy u kishin kërkuar mjekëve të mos u tregonin seksin e fëmijës. Elmi tregon: "Katerina u përpoq të më kërcënonte - fjalë që më kumbojnë ende në kokë - duke më thënë: Mbaj mend mirë, kjo nuk është hera e parë që takohemi: në rast se do që familjes tënde të mos i ndodhë asgjë e keqe duhet të bashkëpunosh".

Madi Hashi, një 19-vjeçar, tha se u mbajt për 16 orë në një qeli të aeroportit të Xhibutit, me urdhër të drejtpërdrejtë të MI5-ës. Ai vazhdoi duke treguar se me t‘u kthyer ishte kontaktuar nga një agjent britanik, i cili i kishte thënë se statusi i të dyshuarit për terrorizëm nuk do t‘i hiqej nëse s‘pranonte të bashkëpunonte. Gjithashtu tregoi edhe si agjenti kishte dashur ta mësonte të grumbullonte informacion nga miqtë e të afërmit.

25-vjeçari Muhamed Nur, punonjës i një organizate jofitimprurëse në Londër, rrëfeu se ishte kërcënuar, pasi një agjent i qe shfaqur në shtëpi me ndihmën e një agjenti tjetër të veshur si postier. "Agjenti i MI5-ës më tha: ‘Muhamed, në rast se nuk bashkëpunon me ne do t‘i themi çdo shteti ku do të shkosh se je i dyshuar si terrorist‘".

Asnjë prej të gjashtëve, të cilët janë kontribuues në aktivitete për të mirë të komunitetit, nuk është arrestuar ndonjëherë për terrorizëm apo dyshime për lidhje me qarqe terroriste. Mësohet se janë ankuar disa herë për këtë trajtim denigrues në Gjykatën e Hetimeve, e cila mbikëqyr aktivitetin e Shërbimit të Sigurimit.

Në një letër që i dërgonte drejtuesi i organizatës jofitimprurëse ku punonin të rinjtë kryetarit të kësaj gjykate, shkruhej: "E vetmja gjë që kanë të përbashkët këta njerëz është se kanë studiuar arabisht jashtë shtetit dhe janë me origjinë nga Somalia".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›