Shkelja, KQZ lejon kandidatë antiligjorë
PS-ja ngre sërish shqetësimin. Përgjigjet Ristani: "Nuk e kemi ne kompetencën"
TIRANË - Partia Socialiste këmbëngul në kërkesën e saj për të larguar nga gara për Parlamentin e ardhshëm të gjithë ata kandidatë, që mbajnë ende funksione të larta publike.
Edhe një herë, socialistët të përfaqësuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, kanë ngritur këtë shqetësim, duke i kërkuar këtij institucioni që të ndërhyjë në zgjidhjen e këtij problemi.
Duke marrë fjalën, gjatë diskutimit të çështjeve jashtë rendit të ditës, përfaqësuesi socialist në KQZ, Genci Gjonçaj, u ka kujtuar anëtarëve të këtij komisioni se, pavarësisht evidentimit të kësaj problematike, nuk ishte marrë asnjë masë konkrete, për të detyruar këta kandidatë që të jepnin dorëheqje nga postet që ata mbanin.
"Javës që shkoi ne ngritën problemin e kandidatëve që, në kundërshtim me nenin 69, të vazhdojnë garën e tyre për deputetë.
Nga ana e KQZ-së u ra dakord atë ditë që të trajtohej ky problem, ndoshta me një vendimmarrje tuajën, për t'u bërë thirrje atyre që të japin dorëheqjen. Prandaj dua të di nga KQZ-ja çfarë është bërë me kandidatët që gjenden në këtë shkelje ligjore", - tha Gjonçaj në fjalën e vet, duke përmendur faktin se këta kandidatë po përdorin fondet publike për të bërë fushatën e tyre.
Por, një kërkesë e tillë ka gjetur një përgjigje negative nga ana e kreut të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Arben Ristani, i cili është shprehur se institucioni që ai drejton nuk ka asnjë kompetencë dhe asnjë detyrim për të detyruar këta kandidatë që të japin dorëheqjen. "Nuk është në detyrimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që të ndërhyjë në një çështje të tillë.
Ligji nuk ngarkon KQZ-në për zgjidhjen e këtyre pretendimeve. Duhet të drejtoheni në vend tjetër për të bërë këto deklarata dhe për të zgjidhur këtë çështje", - u përgjigj Ristani.