SHBA-ja, Europa dhe Shqipëria
Mbas ditëfestës së laureimit dhe punësimit si president i fuqisë më të madhe botnore vijnë ditët kur Obama do të përballet pa retorikë fushatash, me realitetin gjeostrategjik botnor. Së pari, presidenti i ri i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, nuk është se ka ndonjë ekspreriencë të madhe mbi çeshtjet e jashtme. Por megjithatë ai do të konsultohet patjetër me vendet aleate në kontinentin e vjetër, sepse tanimë dihet kontributi i domosdoshëm me zgjidhur krizat gjeo-strategjike dhe ekonomike kalon në tavolinat shumëpolare. Së dyti, fjalëkalimi është kurdoherë; “jo më si administrata Bush”, d.m.th. si në kohët e arta “heroike” mbas 11 shtatorit, që nuk pyeste, që kishte iluzionin të zgjidhte gjithçka vetë. Koha ndryshuar dhe stina nuk është më e njëjtë. Tanimë çdo ekspert i çeshtjeve world strategy, di se në muajt e ardhshëm në tavolinat e kancelarive europiane, do të vijnë kërkësa, urdhëra, lutje, me detaje nganjëherë presuese mbi shtimin e trupave (dhe financime) me shpenzue në teatrot afganë apo në zonat e cilësuara si të nxehta. Lideri i ri do të përligjë këto thirrje “nën armë” në kontekstin siç e thamë më lart, të një “multi-polarismi”, ky tog-fjalësh ka gjasa të jetë ma shumë retorik se sa primar, duke parë e duke ditur se rregullat e lojës do t’i diktoi si gjithmonë: ai, si shefi i fuqisë më të madhe botnore. Midis atyre që dëshirojnë t’i japin shpejt dorën e miqësisë administratës se re të SHBA-së janë vendet baltike, polakët dhe ish-vendet e perandorisë sovjetike, e si gjithmonë Shqipëria, apo kush do t’i ngulë këmbët fort në tokë si Gjermania dhe Spanja, por kemi edhe ambiguitetin e Italisë, me një sy në Rusi e tjetrin në Usa. Me siguri, nuk do të jetë e lehtë që të refuzosh “kërkesat” e një lideri të ri të sapo laureuar, me katër vjet punësim në drejtimin e SHBA-së. Deri tashti këshilltarët e qeverive europiane po studiojnë kushtet dhe reprocitetet e kësaj marrëdhënieje të re. Nga pikëpamja e presidentit amerikan, mënyra e shikimit për të parë Europën tani për tani do të jetë, e njëjta, vijë e ndjekur nga paraardhësit të stabilizuar në dekada. Në veçanti duhet thënë se do merren, kultivimi i mardhënieve bilaterale, më shumë se me fantazmat e Brukselit; d.m.th të parandalojë aleancat europiane anti-SHBA; dhe mbi të gjitha, të largojë frikën që një nga Fuqitë e mëdha kontinentale të lidhi marrëdhënie të privilegjuara me Moskën. Ankthi i çdo presidenti amerikan, po ashtu edhe të dyzetekatrit Barack Obama, që midis Rusisë dhe Gjermanisë (më shumë se Franca dhe vendeve të vogëla) të mos lidhet edhe pse informale, një aleancë, që do të kufizonte influencën e Amerikës në kontinentin e vjetër. Në ketë prospektivë, një rëndësi të veçantë do të ketë politika e re gjeopolitikës energjetike të administratës Obama. Projekte si “North Stream”, që kërkon të kalojë vendet filo-amerikanë të Europës, me qëllimin e lidhjes Gjermani e Rusi, në emër të gazit apo burimeve energjitike, janë një anatemë. Kështu do të bëjë edhe, në frontin e jugut, presidenti i ri me siguri do të gjurmojë alternativa të reja, të pamundura deri më tani, që lidhin Azinë qëndrore e Rusinë me Europën mesdhetare, që mund jetë alternative e ofertës ruse. Në këtë skakierë të lëvishme gjeopolitike, Shqipëria ka një rol margjinal. Njeriu që presidenti Obama zgjodhi si zëvendës është po ai njeri, senatori Xhozef Bajden, njohës i çeshtjeve ballkanike, mik i shqiptarëve, që ishte ndër të parët për një ndërhyrje ushtarake ndaj Serbisë për Kosovën. Politika amerikane për Shqipërinë dihet tashmë, na kanë dhënë një rol të vetëm: atë të ruajtjes së stabilitetit dhe eksportimit të sigurisë në rajon. Nuk duan assesi një krizë tjetër si e 97-s, një krizë si ajo e 98-s, por as një destabilizim si krizë kosovare e 99-s, apo ajo maqedonase e 2001. E përsërisim, detyrë shtëpie e politikës shqiptare është stabiliteti dhe eksportimi i sigurisë. Përligja e asaj që sapo thashë duket nga përpjekja e e pakushtëzuar e Uashingtonit në rrugën tashmë ndërkombëtare për t‘i dhënë shqipërisë antarësimin e plotë që i takon në NATO, duke i paraprirë një shteti ligjor, me institucione thelbësisht demokratike....