Ministri i Financave prezantoi sot projektbuxhetin për 2009

Ministri i Financave Ridvan Bode deklaroi sot në Komisionin e Ekonomisë në Kuvend se p/buxheti i shtetit për vitin 2009 është realist dhe me marzhe të mjaftueshme sigurie. "P/buxheti merr në konsideratë zhvillimet dhe ecurinë e ekonomisë shqiptarë në vitet e fundit, por dhe ato në tregun e jashtëm, në kuadrin e disa ndryshimeve që ka patur ekonomia botërore për shkak të krizës së sistemit financiar". Sipas kreut të financave publike, p/buxheti pasquron të gjitha kapacitetet e qeverisë dhe reflekton të gjitha prioritetet e saj dhe institucioneve të tjera të shtetit. "Ky buxhet synon të konsolidojë më tej stabilitetin makroekonomik të vendit përtej zhvillimeve që ka patur ekonomia botërore, ndërsa ne mbetemi një vend me një stabilitet të qëndrueshëm makroekonomik, përsa i takon rritjes ekonomike, nivelit të inflacionit, kursit të këmbimit, bilanceve të tjera që kanë të bëjnë me tregtinë ndërkombëtare dhe nivelit të papunësisë", deklaroi ministri Bode.
Fjala e plotë e Ministrit Bode
Kam kënaqësinë të paraqes sot në Komisionin e Ekonomisë, projektbuxhetin 2009 të përgatitur nga qeveria për diskutim dhe miratim në Kuvend. Ky projekt është rezultat i një diskutimi dhe pune gjerë e të pandërprerë i Ministrisë së Financave, qeverisë me të gjithë përdoruesit e buxhetit, qofshin këto agjenciv apo institucionet e pavarura.
Përgatitja e këtij buxheti ka ndjekur ecurinë sipas përckatimeve ligjore, ai ka qenë pjesë e programit buxhetor afatmesëm dhe përbën një nga arritjet më pozitive të përgatitjes së këtij buxheti, fakti që diskutimet për të nuk ka qenë në një vit apo muaj të vetëm, por është produkt i një angazhimi dhe strategjive të miratuara tashmë nga qeveria, i prioriteteve të miratuara nga Kuvendi i Shqipërisë, i gjithë reformave të ndërmarra në këtë periudhë nga qeveria dhe institucionet e tjera përdoruese të buxhetit dhe në këtë kuptim është një buxhet i cili ofron kapacitete të reja në përdorimin efikas dhe eficent të fondeve publike. Projektbuxheti i prezantuar publikisht dhe për të cilin ne fillojmë sot diskutimet, bazohet në arritjet pozitive më të mira të viteve të fundit, si në realizimin e të ardhurave të buxhetit, ashtu edhe në praktikat dhe nevojat e përdorimit efektiv dhe eficent të fondeve publike. Ai merr në konsideratë faktet që ekonomia shqiptare në këtë periudhë ka dëshmuar një vitalitet të qëndrueshëm dhe në rritje dhe ka përballuar me sukses një sërë sfidash që kanë të bëjnë me zhvillimet në tregun rajonal dhe atë botëror. Ne kemi kapërcyer situata të presioneve inflacioniste, duke qëndruar në parametrat dhe objektivat tona të miratuara 3 vjet më parë, ne kemi ndjerë presione të tjera në tregtinë rajonale dhe atë botërore dhe jemi sot në presionet e një krize financiare që ka përfshirë tregjet financiare në të gjithë botën dhe mendojmë që ekonomia shqiptare në vijimësi do të ketë mundësitë dhe kapacitetin për të tejkaluar këtë problematikë që ka ekonomia botërore në vitet e fundit.
Nisur nga këto kushte, ne edhe një herë konfirmojmë që rritja ekonomike për vitin 2009 do të jetë e mirë, mbi 6 për qinde PBB –së përbën një objektiv tepër ambicioz, nisur nga fakti që tashmë që në shkallë rajonale, evropiane dhe më gjerë përballemi me një rënie të rritjes ekonomike dhe rënie totale të PBB – së. Ndërsa në shkallë evropiane rritja ka qenë 2.5 – 3 %, për vitin që vjen parashikohet një rënie ekonomike me 0.5 pikë për qindje të PBB –së. Sigurisht që këto elementë të kësaj tendence të ekonomisë botërore nuk imunizojnë dhe nuk lenë mënjanë edhe ekonomitë vitale si ekonomia shqiptare, apo ekonomitë e vendeve balltike që kanë të njëjtin vitalitet apo vende të tjera të Ballkanit, dhe në këtë kuptim buxheti jo vetëm ka programuar rritjen sipas parametrave të brendshëm të ekonomisë, mbi 6 % por njëkohësisht ka marrë të gjitha masat që të gjitha efekte të mund të gjejnë përgjigje në buxhet përmes rezervave dhe programimit konservativ të gjithë parametrave të buxhetit për vitin 2009. Për sa i takon inflacionit, si një tregues tjetër i stabilitetit makroekonomik të vendit, ne vijojmë të mbetemi në të njëjtin objektiv inflacioni 3% +/- 1 dhe ky objektiv është realizuar me sukses edhe në dy vitet e fundit, kur kemi pasur presion inflacionit.
Ekonomia shqiptare ka një inflacion prej 2.7 % në periudhën dhjetëmujore të këtij viti dhe kjo përbën një nga treguesit më pozitiv të ekonomisë tonë, nëse marrim në konsideratë faktin që të gjithë ekonomitë e vendet e tjera të rajonit dhe më tej kanë një rritje inflacioni të dukshëm dhe gati 3 herë më të lartë si mesatare se sa inflacioni i ekonomisë sonë.
Si rezultat i këtyre ne programojmë që po ashtu niveli i papunësisë zyrtare në Shqipëri të vijë në rënie dhe për vitin që vjen programohet një nivel papunësie nën 13 %, pra në parametrat 12. 7 – 12.8 % dhe kjo përbën po ashtu një nga treguesit më pozitiv të ekonomisë shqiptare dhe të ambientit që nxit ekonominë për zhvillime më të shpejta në perspektivë.
Në mënyrë më të detajuar më lejoni t’ju prezantoj që të ardhurat fiskale në buxhetin e shtetit për vitin 2009 programohen që të rritjen me një ritëm prej rreth 10%. Kjo rritje konservative për vitin 2009 nuk kushtëzohet nga asnjë faktor tjetër veç nga fakti që ky vit ka dy specifika :
- Së pari sikurse thamë jemi përballë një presioni nga ekonomia botërore;
- 2009 është vit zgjedhor dhe për të matur një marzh sigurie më të lartë në ekzekutimin e buxhetit pa asnjë lloj problematike, ne kemi programuar në mënyrë konservative një rritje jo fort të lartë ekonomike dhe jo në mesataren e rritjes që kemi patur në 3 vitet e fundit.
Megjithatë të ardhurat në buxhetin e shtetit për vitin 2009 kalojnë 333 miliardë lekë dhe kjo përbën gjithashtu një zhvillim pozitiv për të ardhurat në buxhet dhe kapacitet për të rritur financimet në sektorët financiarë të ekonomisë shqiptare. Me një rritje prej 10 % programohen po ashtu të ardhurat tatimore në vitin 2009. Sigurisht që në këtë politikë ne kemi marrë në konsideratë edhe angazhimin që ka marrë qeveria shqiptare që gjatë vitit 2009 të kemi një ulje me 5 pikë % të kontributeve të sigurimeve shoqërore, taksës së punës. Sigurisht është një politikë që nga qeveria shqiptare konsiderohet në përputhje me realitetin dhe që do të japë efekte pozitive mbi ekonominë shqiptare në tërësi, por më e rëndësishme do të ndihmojë për të formalizuar më tej tregun e punës i ndërkaq vijon të mbetet më problematiku. Ne kemi menduar që kjo masë e ndërmarrë nga qeveria nuk do të japë efekte në raport me PBB –në si taksë, pasi në vitin 2006 kur ne bëmë uljen e parë me 10 % të kësaj takse efekti ishte vetëm 0.1% e PBB –së, pra efektet janë më pozitive në drejtim të rritjes së formalizimit të ekonomisë dhe më pak negative në të ardhurat fiskale të buxhetit të shtetit.
Ne kemi programuar një rritje më të mirë në sektorët e tjerë:
• Rritje me 0.3 % ndaj PBB –së të të ardhurave nga TVSH;
• Rritje me 0.1 % ndaj PBB –së të të ardhurave nga tatimi mbi fitimin;
• Rritje me 0.3 % ndaj PBB – së të të ardhurave nga Akcizat dhe të njëjtin nivel për tatimin mbi të ardhurat personale;
• Rritje me 0.2 % ndaj PBB –së të të ardhurave nga Pushteti vendor. Nga këto 0.1 % do të vijnë nga taksat lokale dhe 0.1 % nga taksat e biznesit të vogël.
Ndërkohë që :
• Ka një rënie të nivelit të taksave nacionale me 0.2 % me për shkak të eliminimit dhe uljes të një sërë tarifash të shërbimit, numri i tyre është reduktuar nga 25 në 6 ;
• Ulje me 0.4 % të PBB –së nga taksa doganore si rezultat i zbatimit të angazhimeve tarifor në Marrëveshjen e Ndërmjetme BE-Shqipëri, CEFTA, MTL me Turqinë.
Rritja e të ardhurave me 10 % përbën një garanci për vitin 2009, një garanci jo vetëm për përdoruesit e buxhetit por edhe për të mundësuar që të mos kemi tronditje gjatë vitit. Përkundrazi ne jemi të bindur që këto tronditje do të tejkalohen, por mbetet për tú verifikuar gjithçka në përfundim të 6 mujorit të parë dhe pas kësaj mund të ndërmerret çdo masë tjetër për të shtuar në buxhetin e vitit 2009, të ardhurat shtesë që mund të krijohen për tú përdorur në objekte të reja, në intensifikimin e financimit të investimeve në tërësi. Rritja mendoj që është pozitive edhe pse mbetet në nivel të njëjtë me vitin e kaluar, pra 28.2% e PBB –së.
Shpenzimet publike.
Ky zë do të arrijë në në 383.197 milionë lekë për vitin 2009. përbën nivelin më të lartë historik të shënuar për shpenzimet publike. Ajo që është e rëndësishme dhe mund ta theksojmë është se jo vetëm kemi një rritje të mirë të nivelit të tyre në krahasim me buxhetin e vitit 2008, por kemi dhe një përmirësim të mëtejshëm të strukturës së këtyre shpenzimeve, pra shpërndarjes së tyre midis zërave të ndryshëm. Për më tepër ne kemi një përmirësim rrënjësor në procedurat e ekzekutimit duke rritur shumë efikasitetin e shpenzimeve të fondeve publike.
Ne do të vijojmë me të njëjtën politikë të rritjes së pagave që kemi patur gjatë vitit 2008. kjo politikë mundëson dyfishimin e pagave në sektorin e arsimit dhe në sektorin e shëndetësisë, pagave të ulëta, dhe për një rritje qenësore të sistemit të pagave në të gjithë sektorët e tjerë. Një angazhim ky i deklaruar dhe i miratuar si program nga Kuvendi i Shqipërisë pra ne e mundësojmë tërësisht dhe e quajmë të realizuar këtë objektiv. Ajo që është e re në këtë buxhet është fakti që rritja e pagave, do të jetë nga data 1 Maj dhe kjo ka të bëjë me faktin që kemi të bëjmë me një vit elektoral dhe gjatë kohës së rritjes tradicionale të pagave pritet të zhvillohen zgjedhjet.
Ndërkohë që në raport me PBB –në niveli i pagave për vitin 2009 vjen në rënie. Ne arrijmë në nivelin 5% të PPB dhe kjo kushtëzohet nga 3 faktorë :
- së pari siç e kemi thënë dhe më parë përmirësimi i administrimit të pagave, vendosja e një disipline rigoroze në përdorimin e fondit të pagave ka krijuar mundësi që rritja e pagave të mos shkojë në të njëjtën masë edhe të pjesës dhe raportit me PBB –në ;
- së dyti sepse për vitin 2009 ne programojmë një pakësim të pjesës së kontributit të sigurimeve shoqërore me 5% çka do të thotë që ulet edhe kontributi i buxhetit për punonjësit publikë me rreth ¼ e fondeve që akordonte për kontributin e sigurimeve shoqërore;
- së treti sepse ne bëjmë një decentralizim rrënjësor në politikat e financimit të rrjetit spitalor dhe universiteteve, duke i konsideruar ato në formën e granteve. Kjo krijon një fleksibilitet më të madh për të përdorur fondet publike nga këta dy sektorë, shëndeti publik dhe arsimi i lartë.
Më konkretisht :
Reforma në sektorin e shëndetësisë, ka të bëjë me spitalet, të cilat lidhen drejtpërdrejt me produktet që do të ofrojnë, pra me shërbimet ndaj klientit. Ne kemi kaluar fondet e të gjitha spitaleve të republikës nën administrimin dhe ndjekjen dhe ekzekutimin e ISKSH –së. Kjo përbën hapin e parë të një reforme të madhe e cila duhet të ndërmerret jo më vonë se fillimi i vitit të ardhshëm në sektorin e shëndetësisë dhe që synon që gjithë produktet e ofruara dhe shërbimet nga rrjeti spitalor të jenë produkte të blera nga ISKSH-ja përmes kostimit të të gjitha shërbimeve që ofrojnë spitalet. Kjo përbën instrumentin bazë të përmbysjes së gjendjes aktuale dhe do të thotë një rritje të pavarësisë të spialeve për të përdorur fondet publike në lidhje me nevojat që kanë, është një mundësi më e madhe për të inkurajuar përdorimin e kësaj skeme për shpërblimin më të mirë të mjekëve të aftë dhe me përvojë, për të minimizuar ryshfetin dhe korrupsionin në sistemin spitalor dhe për të rritur modernizimin e spitaleve. Kjo do të çojë në një rritje të konkurencës midis qendrave të ndryshme spitalore duke krijuar një mundësi më të madhe të orientimit të spitaleve drejt një llogjike tregu.
E njëjta llogjikë do funksionojë edhe për universitetet. Pra kalimi i të gjithë financimeve të universiteteve në formë granti, duke kostuar studentët. Do jetë studenti produkti i cili do të financohet dhe jo numri i pedagogëve apo punonjësve të tjerë, jo aktivitetet tradicionale të financuara për universitetet. Pra kalimi tek produkti që ofrojnë këto institucione bën një lidhje më të mirë të përdorimit të fondeve publike me eficencën e tyre në raport me shërbimet që ofrojnë këto dy sektorë të rëndësishëm. Ky është hapi i parë i një reforme shumë të thellë. Ne mendojmë që viti 2009 do jetë viti fillestar, por kjo reformë do të vijojë në perspektivë, në mënyrë më të thelluar dhe me ritme më të shpejta në këta sektorë dhe në sektorë të tjerë të shërbimeve publike që ofron qeveria.
Shpenzimet dhe të mirëmbajtjes. Ky zë ka një rritje në vitin 2009 dhe kjo rritje vjen për shkak se gjithnjë e më shumë është rritur masa e fondeve të mirëmbajtjes të investimeve publike që janë në përmasa të mëdha. Mirëmbajtjes e sistemit të rrugëve kombëtare dhe dytësore, mirëmbajtja e të gjithë veprave të tjera të investimeve, përbën një domosdoshmëri për të ulur koston perspektive të përdorimit të fondeve publike në rindërtimin e këtyre objekteve. Sigurisht që viti 2009 do të jetë viti i parë ku ne tregojmë një vëmendje thelbësore në rritjen e fondit të mirëmbajtjes së sistemit rrugor dhe në perspektivë kjo rritje do të jetë shumë më e madhe. Ajo që mund të garantoj është se ndërsa rriten shpenzimet për mirëmbajtjen, shpenzimet operative të funksionimit të administratës qendrore, vijnë në rënie. Ne kemi vendosur tavanin për të gjitha të gjithë institucionet përdoruese të buxhetit, që rritja e shpenzimeve të funksionimit të tyre të mos jetë më e lartë se 4 % në krahasim me vitin 2008. Kjo do të thotë që e gjithë rritja tjetër e madhe shkon në këtë nivel. Kjo ka mundësuar që për vitin 2009 ne të zbresim nën 1 % të PBB –së sasinë e fondeve që destinohet për funksionimin e administratës qendrore, pra ajo deklaratë e qeverisjes në dietë materializohet dhe realizohet në mënyrë të dukshme. Nga 1.58 % që ishte fondi i shpenzimeve operative të funksionimit të administratës qendrore në vitin 2005, zbret nën 1 % të PBB –së për vitin 2009 duke përbërë një përmirësim të dukshëm.
Sigurimet shoqërore dhe shëndetësore pësojnë një rritje të qenësishme rreth 20 % në krahasim me vitin e kaluar. Kjo kushtëzohet nga rritja e pensioneve nga data 1 maj. Për vitin 2009 është programuar një rritje e pensioneve të fshatit prej 20 % dhe 10% për pensionet e qytetit. Ky skenar na çon në këto parametra. Së dyti kemi mbështetur dhe rritur në mënyrë të qenësishme fondin e ISKSH-së për rimbursimin e ilaçeve. Ato tashmë janë 6 herë më të larta se sa në vitin 2005 dhe përbën një mundësi më të madhe për të asistuar shtresat në nevojë për këto shërbime publike.
Viti 2009 mbështet gjithashtu dukshëm buxhetet vendore, me rritjen qenësore të granteve. Nga 5.7 miliard lekë që ishin në vitin 2005, të destinuara për pushtetin vendor, në formën e granteve konkurruese dhe jo konkurruese, në vitin 2009 ato do të kalojnë në 25 miliardë lekë. Kemi rritur në mënyrë qenësore investimet vendore për vitin 2009, pasi duhen përfunduar të gjitha ato objekte që ndër vite janë në proces financimi. Do të jenë 5.5 miliard lekë që destinohen vetëm për infrastrukturën rrugore në komuna dhe bashki. Ndërsa në total do të jenë 10 miliard lekë investime që do të bëjë pushteti qendror pranë bashkive dhe komunave në formën e ujësjellsave, ndërtimit të shkollave, qendrave ambulante. Pra nga 500 milionë lekë që ishte shuma e investimeve në vitin 2005 shkojmë në 10 miliard lekë në vitin 2009.
Investimet publike vijojnë të mbeten prioritet i qeverisë. Për vitin 2009 investimet do të mbeten 8 % e PBB –së. Rreth 1/3 e buxhetit të shtetit do të vijojë të destinohet për investimet publike. Do të jenë investimet në infrastrukturë që do të vazhdojnë të marrin pjesën dërmuese të fondeve për investimet publike dhe kjo e kushtëzuar nga nevoja për të avancuar dhe për të përshpejtuar ndërtimin e infrastrukturës kombëtare, akseve kryesore rrugore që përshkojnë vendin në të gjitha krahinat. Rritja e këtij fondi për MPPTT –në përbën një angazhim tashmë të mbështetur nga qeveria dhe të miratuar edhe nga Kuvendi. Vetëm kjo ministri do të ketë rreth 57 miliardë lekë fond për investime publike kur gjatë viteve 2003 – 2004 ka patur gjithsej vetëm 19 miliardë lekë. Ne kemi bërë kujdes që në vitin 2009, nisur nga problemet qe paraqet tregu financiar botëror, për të ulur deficitin buxhetor edhe me 1 pikë përqindje në krahasim me vitin 2008. Nga 5.2 % që pritet të jetë deficiti i vitit në vazhdim, ne mendojmë të programojmë për vitin 2009 një deficitit prej 4.2% e PBB-së. Një deficit lehtësisht i shërbyeshëm dhe i mundur për tú financuar nga sistemi ynë financiar. Ne kishim programuar dhe deklaruar më parë që do të preferonim daljen tregun evropian përmes një eurobondi, por nisur nga zhvillimet që ka tregu financiar europian dhe rritja e kostos së parasë në këtë treg, ne mendojmë që për vitin 2009 do të vijojmë të shërbejmë me instrumentet tanë tradicionalë, duke parë dhe mundësitë e kredive por edhe duke përdorur kapacitet që ka sistemi ynë bankar i cili ndërkaq është likuid dhe që ka një tendencë për të qenë më pak agresiv në raport me rritjen e kredive ne sektorin real të ekonomisë.
Gjithashtu dua të shtoj se ne kemi marrë masat për të mbajtur kontigjenca të mjaftueshme në buxhet. Rreth 15 miliard lekë do të jenë kontigjenca, të cilat do të jenë në dispozicion të çdo lloj luhatje që mund të ketë ekonomia ose tregu në tërësi gjatë vitit 2009, ndërsa do të kemi edhe rreth 6 miliardë të padestinuara ç’ka do të thotë marzh sigurie më i lartë për cdo zhvillim që do të ketë ekonomia shqiptare gjatë vitit 2009. Dhe në rastin më të mirë do të kemi mundësinë për të rritur me të paktën 10 miliard lekë të tjera financimet ëpr investimet publike në Shqipëri dhe së dyti nuk kemi bërë pjesë të buxhetit të ardhurat nga privatizimet e mëdha. Dhe pritet që gjatë vitit 2009 ne të arkëtojmë të ardhura nga privatizimi i OSSH –së, i AMC –së, INSIG-ut, të ardhura të cilat janë të konsiderueshme për të mbështetur më tej financimin e të gjithë nevojave që do të ketë ekonomia shqiptare.
Unë dhe një herë ju them me bindje të plotë që buxheti është realist dhe konservativ, është me marzhe të mjaftueshme sigurie për çdo ndodhi dhe është i mundshëm për tú realizuar në kohë me një ritmikë më të mirë, pasi sa i takon investimeve publike mund t’ju siguroj se të gjitha ato investime që janë listuar për vitin 2009 përfundojnë procedurat e tenderimit brenda vitit në vazhdim, vitit 2008.
Ju faleminderit!
...