E Shtunë, 31 Tetor 2026

SHBA, kandidatët për zv/president në debat

Në qytetin Sejnt Luis të Shteteve të Bashkuara zhvillohet debati i parë televiziv mes dy kandidatëve për zv/president, republikanes Sarah Palin dhe demokratit Joe Biden.

Në hapje të debatit publikut iu tha se të dy kandidatët nuk kishin dijeni përsa i takon pyetjeve që do të bëheshin.

Ai u përqëndrua menjëherë në çështjet ekonomike, përfshirë edhe planin e presidentit Bush për të shpëtuar sektorin financiar.

Zonja Palin tha se kandidati republikan për president, John McCain, i kishte parashikuar problemet, të cilat do të kishin dy firmat e mëdha kreditore:

"Dy vjet më parë, më kujtohet, ishte John McCain që nxiti me forcë masat reformuese për firmat Fannie Mae dhe Freddie Mac. Ai u ra këmbanave të alarmit."

"Të tjerët në Senat, kolegët e tij nuk e dëgjuan dhe nuk shkuan për reformat, për të cilat kishte atëherë nevojë, " tha zonja Palin.

Kurse kandidati demokrat, Joe Biden tha se John McCain nuk ishte në kontakt me realitetin përsa i takon ekonomisë.

"Deri para dy javë më parë, dy të hëna më parë, John McCain tha në orën 9 të mëngjesit se bazat e ekonomisë amerikane ishin të forta."

"Dy javë përpara kësaj deklarate ai tha: George Bush ka bërë përparime në ekonomi, në bazë të politikave të Bushit."

"Në orën 9 ekonomia ishte e fortë, në orën 11 të së njëjtës ditë, pra dy të hëna të shkuara, John McCain tha se ekonomia ishte në krizë", deklaroi kandidati Biden.

Ndër çështjet e tjera ekonomike u diskutua edhe për taksat dhe burimet e energjisë.

Të dy kandidatët diskutuan më pas për ngrohjen globale dhe politikën e jashtme, përfshirë edhe për pikëpajmet e tyre, për tërheqjen e trupave amerikane nga Iraku.

Në debatin e parë televiziv mes kandidatëve për zv/president të SHBA-së, u disktua gjithashtu për Pakistanin dhe programin bërthamor të Iranit.

(BBC)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›