E Diel, 1 Nëntor 2026

Cilët janë 5 ministrat dhe çjanë këto llogari bankare?

“Të paktën pesë anëtarë të kabinetit qeveritar kanë hapur llogari bankare të dyshimta në Itali, Qipro dhe Holandë. Ne disponojmë shifrat ekzakte të derdhura që shkojnë në miliona euro, emrat e bankave dhe datat kur janë bërë derdhjet ilegale. Në mos sot, nesër, në mos drejtësia dhe Berisha sot, do t´i tregojmë ne nesër me gisht këta individë”.

Këto fraza i lexova nga intervista e një deputeti në një revistë. Në rrethana normale do t’i merrja për akuza politike, por janë dy gjëra që më bëjnë të besoj në këto akuza: E para është që i intervistuari i përket një krahu të politikës shumë të lidhur me konjuktura politike ndërkombëtare që kanë dëshmuar se kanë informacione të sakta mbi veprimet e politikanëve (hajdutë dhe naivë) të Tiranës. Flas për konjuktura nga ato që në qarqet politike të Tiranës identifikohen me fraza të tilla si “ata i dinë dhe ku kanë hequr brekët këta medemek burrat e politikës së Tiranës”. (bëhet fjalë për arkivime përgjimesh dhe materiale të tjera kompromentuese)

E dyta, në intervistën në fjalë, që për mendimin tim, nuk duhet të kalojë pa vëmendjen e mediave të tjera të përditshme, jepen disa detaje të qarta. Dhe në fakt, detajet janë një nga provat që ajo që thuhet se është e vërtetë. (Didëro, jo më kot thoshte: “Një gënjeshtar nuk jep kurrë detaje”)

Deputeti i intervistuar dëshmon emrat e këtyre bankave, datat ekzakte kur janë bërë këto derdhje – në vlerë disa miliona euro - dhe mënyrën sesi ata mund të hetohen për një gjë të tillë. Vlera e parave të dala jashtë vendit është e jashtëzakonshme. Denoncimi i tij prek adresat e bankave të huaja ku janë bërë veprimet e dyshimta; (një bankë në Romë, një bankë në Qipro, një bankë në Roterdam, Holandë).

Akuza mjaft të hollësishme për të kaluar në heshtje apo jo?

“Le t´i verifikojë vetë Berisha, pastaj do ta “ndihmojmë” dhe ne këtë luftëtar të antikorrupsionit dhe demadog tragjiko-komik”, - thotë deputeti, që përmend se vetë kryeministri i ka marrë kohë më parë këto të dhëna, por që të paktën publikisht, nuk ka ndërmarrë asnjë hap për sqarimin e këtij denoncimi.

Këto llogari bankare hajdutësh, nëse janë të vërteta, janë një panoramë e zymtë e falsitetit, makutërisë dhe naivitet të kësaj qeverisje që u votua për ndryshim.

Intervista flet për pesë ministra të kabinetit Berisha, për të cilët pushteti ka prodhuar miliona euro të dyshimta. Kush janë? A janë të vërteta këto akuza? Duhet përgjigje..!

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›