E Shtunë, 31 Tetor 2026

SHBA, kërkohet lirimi i gazetarëve në Siri

Bordi i Guvernatorëve të Transmetimit në Shtetet e Bashkuara (BBG), i ka bërë thirrje Sirisë që të lirojë menjëherë dy gazetarët, që punonin për njërin prej televizioneve me seli në Shtetet e Bashkuara.

Gazetari Bashar Fahmi dhe kameramani Kunejt Unal punonin për televizionin Alhurra me seli në Virxhinia të Shteteve të Bashkuara.

Ata po raportonin për dhunën në Alepo, kur u zhdukën më 20 gusht.

BBG nëpërmjet një deklarate tha se televizioni sirian ka transmetuar një video të kameramanit Unal, ku ai e ka përshkruar veten si pjesë e një force ndërkombëtare militante.

Bordi, që mbikëqyr punën e disa rrjeteve televizive, ka njoftuar se ministri i jashtëm i Turqisë tha se Unal ishte detyruar me forcë që ta bëjë këtë deklaratë.

Bordi i Guvernatorëve të Transmetimit është themeluar nga Kongresi i Shteteve të Bashkuara.
 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›