SHBA, krim në familje, shqiptari vret gruan e më pas edhe veten
MINESOTA - Burri vret gruan dhe më pas veten. Ngjarja ka ndodhur tri ditë më parë në Minesota të SHBA-së, kur çifti i shqiptarëve që kishin pesë fëmijë, u gjetën të vdekur në banesën e tyre. Sipas hetimeve të para dyshohet se Rexhep Menxhiqi, 54 vjeç ka qëlluar me armë bashkëshorten e tij 38-vjeçare Shukrije dhe më pas ka qëlluar dhe veten. Ngjarja ka ndodhur të shtunën në mëngjes në banesën e çiftit shqiptar në Janesville të Minesotas dhe lajmi është publikuar në median amerikane. Çifti, i cili kishte emigruar në SHBA rreth nëntë vjet më parë kishte 5 fëmijë të moshës 9 deri në 20 vjeç. Mediat amerikane pohojnë se 4 prej fëmijëve kanë qenë në shtëpi kur ka ndodhur vrasja, por fatmirësisht nuk janë plagosur. Ende nuk dihet nëse fëmijët kanë qenë të pranishëm në dhomën ku ka ndodhur krimi apo jo. Drejtori i Departamentit të Policisë, Tim Hiers, i cituar nga mediat lokale tha se vajza e viktimave, 18-vjeçare ishte përpjekur t'i jepte ndihmën e shpejtë nënës së saj, pasi ka dëgjuar të shtënat. Nga mediat amerikane njoftohet gjithashtu se çifti i shqiptarëve kishte një jetë bashkëshortore të qetë dhe se nuk ishin dëgjuar asnjëherë zënka mes tyre. 54-vjeçari, Rexhep Menxhiqi merrej me shitblerjen e makinave ndërsa e shoqja, Shukrije Menxhiqi, 38-vjeçare, punonte në një dyqan ushqimor në Monterey. Policia po punon për zbardhjen e kësaj ngjarjeje tragjike, ndërsa aktualisht dy fëmijëve më të mëdhenj të çiftit u duhet të mbikëqyrin vëllezërit e tyre më të vegjël. Hetimet paraprake kanë zbardhur skemën e krimit. Sipas hetuesve të mbërritur në vendngjarje, në dhomën e krimit është gjetur arma me të cilën 54-vjeçari ka qëlluar bashkëshorten. Mendohet se ai pasi është siguruar se plumbi kishte goditur bashkëshorten e ka drejtuar armën nga vetja dhe është qëlluar me një plumb, që i ka sjellë vdekjen e menjëhershme pa qenë e nevojshme t'i jepej ndihma e parë. Hetuesit e çështjes pohojnë se fëmijët e çiftit shqiptar, edhe nëse nuk kanë qenë dëshmitarë të çastit fatal të prindërve të tyre, me deklarimet e tyre ata pritet të zbardhin rrethanat e ngjarjes së rëndë. Dëshmitë e tyre tashmë janë marrë prej hetuesve dhe po analizohen për të nxjerrë shkaqet që detyruan 54-vjeçarin shqiptar të ekzekutonte bashkëshorten. fa.ma.