E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Legalizimet, brenda javës miratohen 100 mijë dosje”

Deri në fund të vitit do të mbyllet procesi i legalizimit për 200 mijë ndërtime informale. 

Fabiola Çela

Kështu është shprehur dje për mediat kreu i Ministrisë së Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, Sokol Olldashi. Ndërkohë, sipas tij deri më tani ALUIZNI ka përfunduar së përgatituri dosjet individuale për 100 mijë ndërtime. "Brenda javës së parë të shtatorit partia e parë do të shkojë për miratim në Këshillin e Ministrave", ka thënë ministri.
Legalizimet
Deri më tani janë llogaritur rreth 350 mijë objekte, që pritet të legalizohen. Të gjitha ndërtimet pa leje që janë bërë pas datës 15 maj nuk do të legalizohen. Sipas ligjit, nuk do të legalizohen objektet që janë ndërtuar në zonat arkeologjike, apo në zonat e njohura për përmbytje, si dhe në ato me ndotje të madhe. Gjithashtu edhe objektet e ndërtuara në zonat turistike nuk janë pjesë e procesit të legalizimit. Kjo pasi për këtë kategori ndërtimesh legalizimi i objekteve do të nisë pasi të kryhet përcaktimi i vijës kufizuese të këtyre zonave. Procesi i legalizimit të ndërtimeve informale ishte dhe një ndër premtimet elektorale të qeverisë demokrate. Zyrtarë të lartë të qeverisë kanë premtuar se procesi i formalizimit të ndërtimeve të jashtëligjshme do të mund të përfundojë deri në vitin 2009.
Ish-pronarët
ALUIZNI ka gati listën e ish-pronarëve, që do të kompensohen për trojet e tyre. Pak ditë më parë drejtues të ALUIZNI-t deklaruan se, së shpejti pritet të shkojnë në Këshillimin e Ministrave për miratimin e listës së 128 pronarëve të tokës, ku janë ndërtuar gati 100 mijë ndërtime pa leje. Kjo, pasi sipas ligjit leja e legalizimit të ndërtimeve informale do të mund të jepet vetëm pasi të verifikohen emrat e ish-pronarëve në trojet e të cilëve janë ndërtuar këto objekte. Por përpara se qytetarët të marrin lejen e legalizimit për ndërtimin e tyre, më parë ata duhet të paguajnë detyrimet financiare të cilat janë të përcaktuara në ligjin "Për legalizimin e ndërtimeve informale". Bëhet fjalë pikërisht për çmimin e tokës mbi të cilin është ndërtuar objekti, tarifën e shërbimit etj. Këto para do të shkojnë për kompensimin e ish-pronarëve dhe vetëm pasi këta të fundit të kenë marrë paratë, atëherë do të mund të jepet tapia për ata që përfitojnë nga procesi i legalizimit. Sipas vendimit të qeverisë, në rast se qytetarët paguajnë detyrimin financiar të gjithë njëherësh, do të përfitojnë ulje 20% të vlerës. Kush përfundon këtë proces brenda vitit, do të ketë ulje deri në masën 10%. Ndërsa për ata qytetarë që nuk kanë mundësi financiare për ta paguar menjëherë do të përdoret sistemi me këste deri në 3 vjet. Gjatë kësaj periudhe prona regjistrohet në hipotekë dhe mbetet në pronësi të shtetit deri në momentin që përfundon pagesa.

Investimet në rrugë, vetëm 67 për qind

Deri në fund të 7-mujorit realizimi i investimeve me financime buxhetore në sektorin rrugor është 67 për qind. Shifra është bërë publike nga vetë ministri Olldashi gjatë analizës 7-mujore të ministrisë që ai drejton. "Financimi i huaj është 56 %, por për të dhënë një shifër përfundimtare duhet pasur parasysh edhe shtesa e bërë në buxhet në korrik të vitit 2008", është shprehur ministri. Sipas tij, këto shifra janë goxha pozitive dhe janë në nivele shumë të mira, krahasuar me periudhën e mëparshme. Madje, Olldashi është shprehur i sigurt se deri në fund të vitit shumë prej projekteve rrugore do të kenë përfunduar në kohë. Por vetëm pak ditë më parë, në një deklaratë për mediat drejtues të shoqatës së ndërtimit, i kërkuan qeverisë që të kryente indeksimin e çmimeve. Sipas tyre, shumë prej firmave të ndërtimit që punojnë në infrastrukturë rrezikojnë të mos i realizojnë punimet brenda afateve të parashikuara në kontratë. Shkak është rritja e çmimeve të lëndëve të para, kryesisht naftës, hekurit dhe bitumit dhe mosindeksimi i tyre nga qeveria. Por kjo kërkesë e tyre nuk ka marrë 'OK' nga ministri i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit. Kërkesës së tyre ai i është përgjigjur me një pyetje: "A dini ndonjë rast se kur ka pasur ulje çmimesh kontraktorët kanë bërë një kërkesë zyrtare për t'i rikthyer lekët shtetit?". Sipas tij, kjo është pjesë e riskut të biznesit privat, kur ka rritje çmimesh e paguan biznesi, ndërsa kur ka ulje çmimesh e paguan shteti. Gjatë analizës mujore të ministrisë Olldashi nuk ka lënë pa përmendur edhe projektin e rrugës Durrës-Kukës-Morinë. "Në segmentin rrugor Rrëshen-Kalimash ka progres shumë të mirë dhe është realizuar deri tani mbi 50 % e volumit total të ndërtimit dhe ajo që përbën edhe treguesin pozitiv, është realizimi në tunele. Në tunelin e Thirrës, me gjatësi prej 5.6 km, është realizuar 60 % e gërmimit, që është edhe një shifër mjaft optimiste", ka thënë ai. Sipas Olldashit, ecuria e mirë në këtë tunel, si pika më kritike e kësaj rruge, i bën optimistë që rruga do të mbarojë në afatin e vet. Por për këtë projekt madhor të qeverisë, ministria nuk ka ende një faturë se sa është kostoja përfundimtare e rrugës, pasi kjo është një kontratë me çmim për njësi.

Celularët, Olldashi: Tani tarifat do ulen me 20%

Fabiola Çela

Të komunikosh me celular së shpejti do të kushtojë më lirë.

Kreu i Ministrisë së Telekomunikacionit, Sokol Olldashi, ka deklaruar se brenda 15 shtatorit tarifat e bisedave në celular do të ulen me 20 për qind. Ndërkohë ministria ka përgatitur projektvendimin që i hap rrugë hyrjes në treg të operatorit të katërt celular.
Tarifat
Gjatë një deklarate për mediat të zhvilluar në janar të këtij viti ministri Olldashi me tone kritike u shpreh se, në Shqipëri tarifat e bisedave celulare janë më të shtrenjtat në kontinent. Përballë një situate të tillë Ministria e Telekomunikacionit përgatiti ligjin e ri të komunikimeve elektronike, me anë të cilit përcaktonte një interval tarifash duke nisur nga minimumi dhe deri në tek tarifat maksimale, por ajo ccka është më e rëndësishme është fakti se me anë të këtij ligji tarifa do të ishin me lira se aktualet. ky ligj u miratua në qershor të këtij viti. Po në Qershor u miratua metodologjia e re për rregullimin e tarifave të OFTN. "Metodologjia ka hyrë në fuqi me 1 shtator dhe brenda 15 shtatorit të gjithë qytetarët që kanë një telefon celular do të paguajnë 20 përqind më pak" tha dje minsitreti Olldashi gjatë analizës 7-mujore të këtij dikasteri. Metodologjitë e miratuara në muajin qershor të këtij viti nga Këshilli i Ministrave parashikojnë reduktimin e shpenzimeve të konsumatorëve, me 20 % brënda vitit 2008 dhe një reduktim mesatar të metejshëm me 20% brenda vitit të ardhshëm. Kjo do të sjellë një ulje mesatare në total prej 36% në vitin 2009 në krahasim me tarifat aktuale.
Operatori i ri
së shpejti pritet të hyjë në treg një tjetër operator i telefonisë celulare. Aktualisht ministria e telekomunikacionit ka shpallur kërkesa për shprehje interesi për operatorin e katërt GSM dhe është përgatitur projektvendimi për rregullat e prokurimit të licensës së katërt. ndërkohë sipas burimeve zyrtare nga kjo ministri tenderi zyrtar është parashikuar që të zhvillohet në muajin tetor. aktualisht mësohet të kenë shpallur interes pesë kompani të huaja. hyrja në treg e një operatori të ri celular pritet të ndikojë në uljen e mëtejeshmë të tarifave. aktualisht në tregun vendas operojnë tre kompani,ku më e reja ndër tyre është Eagle Mobile. kjo kompani dha sinjalin e parë më 13 mars sipas kontratës së nënshkruar mes qeverisë shqiptare dhe turqve të Albtelekomit. ndërkohë kompania e parë celulare që ka hyrë në tregun vendas është  Albanian Mobile Communications e cila operon në vendin tonë që nga muaji gusht i vitit 2000. Pas kësaj iu dha licenca operatorit Vodafone Albania i cili nisi të operojë që nga viti 2001.

Rrugët e ndërtuara

Kanë përfunduar
o    Mbikalimi i Kamzës
o    Tepelenë - Gjirokastër
o    Tiranë-Vorë (Krahu i djathtë)
o    Tiranë-Vorë (Krahu i majtë Loti 1)
o    Kamëz - Zall Herr
o    Rruga e Saukut
o    Pukë - Hadroj
o    Romanat - Plepa
o    Rrëshqitja e Dukatit

Kanë filluar punimet për:
o    Dublimi i rrugës Kalimash-Morinë
o    Tetë lote të rrugës së bregut
o    Korçë - Qafë-Plloçë
o    Bulqizë - Bllatë
o    Instituti Bujqësor - Qendër Kamëz
o    Has - Qafë-Prosh
o    Bajram Curri - Dragobi
o    Lezhë - Shëngjin
o    Rruga Nacionale - Spille
o    Unaza e Korçës (2 lote)
o    Bypass i Kukësit (2 lote)
o    Hyrja e Shkodrës (Loti 2)
o    Krutje - Fier - Shegan
o    Ciflik - Kosovë

Janë përgatitur dhe do të fillojnë brenda vitit:
o    Delvinë - Kardhiq (Loti 2)
o    Rruga "Aleksandër Goga" (Porto-Romano)
o    Unaza Fushë Arrëz
o    Dhërmi-Vuno
o    Klos - Bulqizë
o    Unaza Veriore Korçë
o    Zemblak Liqenas
o    Koman Kalata e Tragetit
o    Rruga hyrëse Berat
o    Rruga hyrëse Kavajë
o    Rruga hyrëse Gramsh
o    Rruga hyrëse Sarandë
o    Rruga hyrëse Fier
o    Fushë Krujë - Krujë
o    Vau i Dejës- Koman
o    Koman - Fushë Arrëz
o    Pukë - Iballë
o    Kuçovë - Belsh - Cërrik
o    Fierzë - Bajram Curri

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›