E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dëmet në Gërdec, 58 gabime në vlerësim

Vlerësimi i dëmeve të shkaktuara nga tragjedia e Gërdecit në 58 objekte të kësaj zone është bërë objekt i hetimeve të Prokurorisë së Tiranës. 

Trazhgim Sokolaj

 Kjo e fundit po heton katër nga ekspertët që morën pjesë në vlerësimin e dëmeve të shkaktuara nga tragjedia e 15 marsit 2008 pas dyshimeve se ata kanë pasqyruar shifra të pasakta lidhur me humbjen financiare dhe materiale, që shkaktoi shpërthimi i fabrikës së çmontimit të predhave dhe municioneve. Lajmi konfirmohet nga burime zyrtare të Prokurorisë së Tiranës, të cilat thanë dje se në 36 raste, është vënë re se ekspertët kanë faturuar shifra më të larta sesa dëmi real ndërsa në 22 raste të tjera, specialistët kanë bërë përllogaritje të dëmeve në vlera më të vogla sesa humbja e shkaktuar nga tragjedia. Në këtë mënyrë, Prokuroria shqiptare është duke hetuar tashmë jo vetëm shkaktarët e tragjedisë së Gërdecit, por edhe atë që ndodhi më pas, abuzimin me vlerësimin e dëmeve që shpërthimi i fuqishëm i fabrikës shkaktoi në zonë. Fatura e këtyre dëmeve është vendosur të paguhet nga buxheti i shtetit përmes institucioneve qeveritare ndaj abuzimi në përllogaritjen e shifrave konsiderohet vepër penale në kuptim të dëmit financiar që i shkaktohet buxhetit të shtetit. Për këtë shkak, pas më tepër se 50 kallëzimeve penale që u depozituan në Prokurorinë e Tiranës nga banorët e zonës së Gërdecit, organi i akuzës filloi menjëherë hetimet ndaj ekspertëve. Katër prej tyre janë marrë në hetim pasi dyshohet se qëllimisht kanë pasqyruar shifra të pasakta në raportet e tyre për vlerësimin e dëmeve. Sipas prokurorisë, ekspertët që vlerësuan dëmet në Gërdec kanë operuar në grupe ku rezultati përfundimtar është nxjerrë me anë të votimit nga secili anëtar i grupit të ekspertëve. Për të gjitha rastet kur rezultati i vlerësimit është i gabuar dhe i pasaktë, prokuroria po verifikon emrat e ekspertëve që kanë votuar kundër këtyre vlerësimeve me qëllimin për ti marrë ata në pyetje për llogari të skandalit që pasoi tragjedinë e Gërdecit. Abuzimi me vlerësimin e humbjeve në Gërdec konsiderohet serioz për shkak se llogaritjet e besueshme të bëra deri më tani, vënë në dukje se dëmet kapin shifrën e lartë të 20 milionë eurove. Për çështjen e abuzimit me vlerësimin e dëmeve në Gërdec, mësohet se janë marrë në hetim deri më tani, tre ekspertë të Agjencisë së legalizimeve ALUIZNI, si dhe një ekonomist i Bashkisë së Vorës. Ata bënin pjesë në grupet e vlerësimit që dolën në terren pas tragjedisë së gërdecit dhe vlerësuan dëmet e shkaktuara nga ngjarja e rëndë. Me qëllim evidentimin e vlerësimeve të gabuara që mund të kenë bërë specialistët, Prokuroria e Tiranës ka kërkuar rivlerësimin e dëmeve nga disa ekspertë të tjerë. Pasi të përllogarisin shifrat e sakta të dëmeve, ekspertët do të bëjnë krahasimin me shifrat e dhëna prej specialistëve, që kanë abuzuar dhe në këtë mënyrë do të arrihet në llogaritjen e një shifre të saktë mbi dëmin e shkaktuar gjatë vlerësimit të humbjeve, që shkaktoi tragjedia e Gërdecit. 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›