E Diel, 1 Nëntor 2026

Korçë,Policia:Ndjekje penale protestuesve të PS

Policia e qarkut të Korçës ka reaguar pas deklaratave të disa deputetëve të PS-së të cilët kanë theksuar se janë dhunuar gjatë protestës të zhvilluar në aksin Pogradec-Korçë. Në një deklaratë për shtyp policia thekson se nuk është përdorur dhunë ndaj deputetëve të PS-së apo mbështetësve të tyre.
"Nga pjesëmarrësit në tubim krahas parullave për hapjen e kutive të votimit dhe kundër Qeverisë, pati dhe fyrje në drejtim të punonjësve të policisë. Ndërsa qëndrimi dhe ndërhyrja e forcave të policisë ka qenë korrekte, e qetë duke synuar vetëm shmangien e bllokimit të rrugës dhe nuk është përdorur gaz lotësjellës apo lënde të tjera si dhe mjete speciale ndaj pjesëmarrësve në tubim" thuhet në deklaratën për shtyp të policisë duke shtuar se nuk ka pasur të dëmtuar nga radhët e pjesëmarrësve e cila konfirmohet dhe nga spitalet e Qarkut të Korçës.
Sipas deklaratës, strukturat e policisë së Drejtorisë të Policisë së Qarkut Korçë morën të gjitha masat për garantimin e zhvillimit normal të këtij tubimi në përputhje me ligjin përkatës.
"Por gjithashtu ne kemi dokumentuar të gjitha shkeljet ligjore gjatë zhvillimit të këtij tubimi dhe ndaj shkelësve të ligjit do të kryhen veprimet sipas ligjit për ndjekjen penale të tyre", u shpreh policia.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›