E Shtunë, 31 Tetor 2026

Konte: Juve kërkon lojtarë si Vidal!

Antonio Konte ka konfirmuar edhe një herë se strategjia e Juventusit vazhdon te mbetet ajo e sigurimit të lojtarëve cilësorë e jo lojtarëve të shtrenjtë. Këtë gjë, bardhezinjtë e kanë bërë shumë mirë në sezonin e kaluar duke afruar emra si Vidal e Pirlo, të cilët rezultuan vendimtarë në luftën për titull.
Vidal
Një lojtar i nivelit të lartë nuk duhet të jetë i tillë në aspektin ekonomik, por në fushën e lojës. Shembulli është ai i Vidal. E kemi paguar si një lojtar normal dhe e ka treguar veten një kampion. Të paguash një lojtar 40 milion euro nuk do të thotë që të të përgjigjet me të njëjtën vlerë në fushën e lojës. Gjithsesi do të kemi lojtarë në dispozicion, pasi përgatitemi për të marrë pjesë në tre turne të ndryshëm. Zgjedhjet e mia do të bëhen duke parë nga këmbët deri te qafa, vetëm pastaj do të shoh se fytyra e cilit lojtar është, tha ai duke përsëritur teorinë e vitit të kaluar se nuk përdorte rotacion, por ndryshonte formacionin në bazë të lojtarëve që kishte më në formë. Konte e ka cilësuar blerjen e Lusios nga Interi si të një top-player-i. Po ashtu ai theksuar se ka qenë ai që e ka kërkuar me çdo kusht blerjen e Xhovinkos. Sipas Kontes milingona atomike është i aftë të shmangë çdo lojtar, të bëjë gola, të japë asiste, por edhe të gjuajë goditjet e dënimit. Ndërkohë Konte ka vlerësuar edhe dyshen e mesfushës Asamoah-Isla, lojtarë këta të sapoblerë nga Udineze.
Thumbim Milanit
Në fund, nuk ka munguar një thumbim ndaj Milanit, duke u kujtuar edhe herë kuqezinjve se e kishin humbur titullin përballë skuadrës së tij edhe pse kishin në gjirin e tyre kampionë të mëdhenj. Lojtarët që vlenin 40-50 milionë euro i kishin të tjerët. Nëse Tiago Silva dhe Ibrahimoviç paguhen nga 40-30 milionë euro, do të thotë se ishte Milani që kishte yjet. Kuptohet që disa shifrave nuk u thuhet dot jo, por kjo është një tjetër provë e faktit që në sezonin e kaluar, Juventusi ka bërë një gjë të jashtëzakonshme.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›