SHBA mesazh Beogradit: Përmirësoni dialogun me Kosovën

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë përshëndetur deklaratat e presidentit të ri serb, Tomisllav Nikoliç, se ai do të angazhohet për të ardhmen evropiane të Serbisë. Shtetet e Bashkuara të Amerikës gjithashtu kanë nxitur Nikoliçin që të ketë bashkëpunim konstruktiv me Kosovën. Përfaqësuesja për shtyp e Departamentit amerikan të Shtetit, Viktorja Njuland, ka thënë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë nxitur Nikoliç që të bashkëpunojë me qeverinë e ardhshme në rrugën për integrimet evropiane, raporton RTK. “Përshëndesim faktin se presidenti i zgjedhur Nikoliç ka deklaruar angazhimin e tij për të ardhmen evropiane të Serbisë dhe e kemi nxitur që të bashkëpunojë në mënyrë konstruktive me kryeministrin dhe qeverinë e ardhshme, e veçmas në mbajtjen e stabilitetit rajonal dhe në punën konstruktive me Kosovën”, ka deklaruar Njuland. Duke komentuar mundësinë e formimit të qeverisë së re nga partia e Nikoliç, Nuland, ka thënë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk merren me këtë çështje, pasi kjo është një çështje e brendshme për Serbinë.
...