Thaçi: S’ka bisedime me Serbinë pa zbatimin e marrëveshjeve

Kryeministri Hashim Thaçi, ka thënë se Qeveria e Kosovës, nuk do të nisë një raund të ri të bisedimeve me Serbinë pa u implementuar marrëveshjet e arritura deri tani, përkatësisht ajo për bashkëpunim rajonal dhe ajo e menaxhimit të integruar të kufijve.
“Qëndrimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës është shumë i qartë. Fillimisht implementimi i marrëveshjeve ndërmjet shtetit të Kosovës dhe Serbisë, veçanërisht ai për bashkëpunimin rajonal dhe pastaj do të vijnë hapat tjerë për të vazhduar dialogu teknik. Por, fillimisht implementimi”, ka theksuar Thaçi. Ndërsa, Bashkimi Evropian ende nuk ka axhendë të qartë për vazhdimin e dialogut Prishtinë – Beograd. Në një intervistë për Radio Kosovën, zëdhënësja e shefes së diplomacisë Kethrin Eshton, tha se BE-ja pret betimin e presidentit të ri serb dhe formimin e qeverisë së re në Serbi. Pastaj, do të kemi konsultime me të dyja palët për të parë se si dhe kur do të vazhdojmë. Aktualisht, ka vazhduar puna në nivele më të ulëta”, tha Maja Kocijançiç, duke përmendur si shembull takimet ndërmjet grupeve të punës për implementimin e marrëveshjeve të arritura deri tani.