E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Presidenti i ri, me bisedime - kryesia e PD cakton negociatorët

25-05-2012 / Gazeta 55

Shefi i mazhorancës u ka hapur dje dritën jeshile negociatave për caktimin e një kandidature për kreun e shtetit që siguron një mbështetje sa më të gjerë parlamentare. Sot priten takime të kryeministrit Berisha me të gjithë krerët e partive të koalicionit qeverisës. Procesi i negociueshëm shpresohet të mirëpritet edhe nga opozita, me të cilën ekipi i kryesisë së PD-së do të takohet në ditët në vijim, por arritja e konsensusit brenda koalicionit qeverisës pamundëson çfarëdolloj skenari për krizë të re apo zgjedhje të parakohshme

Partia Demokratike mandatoi dje ekipin negociator, në nisje të procedurës parlamentare, për zgjedhjen e kreut të ri të shtetit. Ashtu siç edhe ishte paralajmëruar, se zgjedhja e presidentit do jetë një proces i negociueshëm dhe kushtetues, kryeministri Sali Berisha,  njëherazi kryetari i PD-së, thërriti mbledhjen e kryesisë, ku dhe u caktua grupi negociator i cili përbëhet nga vetë kreu i mazhorancës, Berisha, kryetari i grupit parlamentar demokrat, Astrit Patozi si dhe deputeti Edmond Spaho. Të mandatuarit e PD do të zhvillojnë negociata me partitë e tjera si dhe do të informojnë kryesinë për procesin e bisedimeve. “Përparësojmë një proces të negociueshëm kushtetues, kjo vjen jashtë çdo spekulimi. Kushtetuta ka germën dhe frymën shumë të qarte, personi që zgjidhet president nuk zgjidhet nga kopshti i unitetit të popullit, por nga vlerat qytetare për t’u përmbajtur vlerave kushtetuese, nga integriteti politik që e detyron t’i përmbahet betimit kushtetues. Qytetaret presin që ai t’i konsiderojë të barabartë”, u shpreh Berisha para anëtarëve të kryesisë.
Kryeministri theksoi se është një detyrim madhor që presidenti para interesave vetjake të ketë interesin publik, ndërsa shtoi se integriteti politik, qytetar dhe atdhetarizmi, janë kushte themelore për t’u ulur me dinjitet në karrigen e presidentit, për t’u shndërruar në përfaqësues të unitetit të popullit.
Berisha i ka qëndruar deklaratës se do të propozojë një figurë të lartë të PD-së, por pa përjashtuar se do të ishte i hapur edhe për një kandidaturë të dalë nga negociatat.
“Jam shprehur se do të propozoj personalitete kryesore të PD-së. Në punën time dhe vlerësimin tim udhëhiqem nga besimi dhe vlerësimi. Bashkëpunëtorët e mi janë jo të paktë, disa të cilët do ta nderojnë ligjin dhe kushtetutën e vendit, burra dhe gra, që kanë investuar shumë për vendin e tyre. Nuk pranoj në kulturën time politike të demonizoj njeri. Çfarë janë përfaqësuesit e lartë të PD-së, armiq klase, sikundër nga ana tjetër nuk demonizoj kundërshtarët e mi. Nuk mund të ecet me klishe”, tha kryetari i PD-së, duke iu drejtuar anëtarëve të kryesisë.
Në fjalën e tij, kryeministri dhe njëherësh kryetari i PD-së, ka theksuar se u bënë disa kohë që janë shpallur kandidatura të veçanta.
“Ata që kanë shprehur ëndrrën presidenciale direkt apo indirekti i falënderoj. Falënderoj edhe ata që janë angazhuar në këtë debat. Në vlerësimin tim të pa lëkundur ëndrra presidenciale është me fisnikja e çdo qytetari”, theksoi kryeministri.
Kreu i ekzekutivit theksoi se koalicioni qeveritar ka funksionuar plotësisht gjatë 3 viteve të tij, në realizimin e reformave të rëndësishme.
“Vijmë në një moment të rëndësishëm në një kohë kur kemi qeverisur tre vjet me një mazhorancë me realizime të mëdha në të gjitha fushat. Bëmë reforma të mëdha. Ekonomia e vendit në kohën e krizës më të rëndë ka katërfishin e rritjes mesatare rajonale. Bëmë ndryshimin e rëndësishëm elektoral me kryeqytetin e vendit. Kjo mazhorancë ka detyrën kushtetuese të bëjë vendin me president. Por mazhoranca do gabonte nëse nuk do përfshinte në këtë proces edhe opozitën me negociata të ndershme”, tha Berisha.
Kryeministri kujtoi gjithashtu se bashkëpunimi i mazhorancës me opozitën, ka kaluar në dy praktika. Sipas tij, Edi Rama bashkëpunoi me PD-në para 2009-ës, por jo më pas, ndërsa me Fatos Nanon ekzistojnë disa marrëveshje. “Me drejtuesit kryesorë të PS-së ka pasur dy praktika. Me Nanon ekzistojnë disa marrëveshje. Me zotin Rama ka pasur bashkëpunim të frytshëm para 2009-ës. Tentativa e parë me Ramën ishte dështim i plotë, theksoi Berisha, ndërsa shtoi se, negociatat do kenë shansin më të madh nëse zhvillohen në selinë e parlamentit”.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›