E Shtunë, 31 Tetor 2026

SHBA ndihmon Kirgizinë

SHBA-ja ka vendosur të shtojë në 5,3 milionë euro ndihmat për Kirgizinë e prekur rëndë nga trazirat e fundit, kumtoi State Departmenti në Washington. Sekretarja amerikane e shtetit, Hillary Clinton, i ka premtuar presidentes së përkohshme të Kirgizisë, Rosa Otunbajeva, edhe ndihma të tjera.

Ndër të tjera, ndihmat do të dërgohen për dhjetëra mijëra refugjatë, të cilët kanë kaluar kufirin e Kirgizisë dhe kanë ikur në Uzbekistan. Në qytetin Andixhan kanë mbërritur aeroplanët e parë me ndihma të OKB-së.

Sipas të dhënave të OKB-së, deri tani në Uzbekistan kanë ikur 275.000 njerëz, për shkak të sulmeve të kirgizëve ndaj pjesëtarëve të pakicës uzbeke në jug të Kirgizisë.

Trazirat e përgjakshme në Kirgizi duhet t'ia kenë bërë të qartë edhe Bashkimit Evropian se qeveria e re duhet ndihmuar më shumë, po qe se BE nuk do të rrezikojë zgjerimin e mëtejshëm të dhunës.

Pamjet e refugjatëve uzbekë, të cilët raportojnë për vrasje dhe dhunime në qytetet kirgize Osh dhe Xhalalabad, u zgjojnë evropianëve kujtime nga koha e shpërbërjes së ish-Jugosllavisë. Refleksi bën që të flitet për të ashtuquajturat "pastrime etnike".

Në raportimin mediatik, trazirat në jug të Kirgizisë, pa u menduar gjatë shpjegohen me tendosjet e vjetra etnike mes pakicës uzbeke dhe pjesës mbizotëruese, kirgize - madje edhe me një lloj nënteksti që përgjithësisht kirgizët janë të inkriminuarit, dhe refugjatët uzbekë - viktimat. Por ky imazh nuk është dhe aq korrekt.

Viktimat janë si uzbekët ashtu edhe kirgizët

Të gjitha informacionet nga brenda rajonit të krizës, bëjnë të qartë, që si kirgizët, ashtu edhe uzbekët janë bërë viktima të dhunës. Në kohë që shumë uzbekë etnikë kanë marrë arratinë drejtë Uzbekistanit, në Osh dhe Xhalalabad shumë kirgizë etnikë fshihen në shtëpitë e tyre apo në lagjet e barrikaduara.

Si uzbekët, ashtu edhe kirgizët i tremben bandës që aktualisht po përhap dhunë dhe tmerr.

Ky formacion dhune herë paraqitet si formacion kirgiz, kur viktimat janë uzbekë dhe herë si uzbekë etnikë, kur ata që kërcënohen janë kirgizë.

Ekspertë nga rajoni raportojnë se aktet e dhunës në grupin përkatës etnik filmohen dhe përhapen me celularë me qëllim të shtimit të frikës.

Shpërthimi i trazirave në ditën e fillimit të Kampionatit Botëror të Futbollit në Afrikën e Jugut nuk është edhe aq rastësi.
Ka shumë të dhëna që kjo dhunë të ketë qenë e planifikuar prej kohësh, kujtojmë këtu që të pesë incidentet e shpërthimit të dhunës në Osh, filluan në të njëjtën kohë, siç bëri të ditur OKB-ja.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›