SHBA në alarm, tre terroristë në kërkim

Pikërisht në 10- vjetorin e ditës që ndryshoi historinë e njerëzimit, dhe konceptin ndaj terrorizmit, agjentët e antiterrorit në SHBA janë vënë në kërkim të 3 terroristëve që planifikonin atentate në Nju Jork dhe Uashington. Burime nga policia pohojnë se këta 3 persona të dyshuar, kanë hyrë përmes Afganistanit.
Forcat e sigurisë dhe agjentët e antiterrorit në SHBA janë vënë në alarm pas kërcënimeve "të besueshme por të pakonfirmuara" se Al Kaeda kërkon të lërë sërish shenjë në 11 shtator 2011, pikërisht ditën që përkon me 10 vjetorin e sulmeve terroriste në SHBA. Policia është duke kërkuar specifikisht 3 terroristë të cilët planifikonin atentate me kamione me bombë në urat dhe tunelet në New York dhe Washington. Ky është plani i parë terrorist kaq aktiv që koinçidon me sulmin e një dekade më parë, ku humbën jetën mbi 3 mijë persona.
Agjentët antiterroristë janë duke hetuar kërcënimet prej orëve të para të së premtes ndërsa policia në Nju Jork dhe Uashington është vënë në gatishmëri.