Sot ceremonia mortore e gjyqtarit Skerdilajd Konomi

Do të përcillet sot për në banesën e fundit, gjyqtari 35- vjeçar nga qyteti i Vlorës, i cili humbi jetën ditën e djeshme, si pasojë e një tritoli që ishte vendosur në makinën e tij. Ndërkohë, Prokuroria e Krimeve të Rënda ka ngritur një grup hetimor te kryesuar nga zv.prokurori Kosta Beluri dhe në përbërje të tij janë prokurorë dhe oficerët më të mirë të policisë gjyqësore, të cilët kanë kryer një mori verifikimesh për gjetjen e provave në vendngjarje. Mesohet se pista kryesore ku janë përqëndruar hetimet është ajo për shkak të detyrës si gjyqtar. Policia po heton për gjyqet që Konomi ka pasur vitet e fundit dhe sidomos muajt e fundit.
Policia e Vlorës, ofron shpërblim për personin që jep infomacione për vrasjen e gjyqtarit Skerdilajd Konomi. Policia ofron 100 mijë euro shpërblim, për personin si dhe ruan anonimatin e tij.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur mëngjesin e djeshëm në qytetin e Vlorës, ku makina me të cilën udhëtonte gjyqtari Konomi, ka shpërthyer.
Ngjarja ka ndodhur në zonën e Skelës, një zonë mjaft e populluar ku automjeti tip benz me targa VL 6383 B, në pronësi të gjykatësit të Vlorës Skerdilajd Konomi, ka shpërthyer në momentin kur ka qënë në ecje.