E Shtunë, 31 Tetor 2026

SHBA “ngrin” 700 milionë $ për Pakistanin

Një fond prej 700 milionë dollarësh si ndihmë për Pakistanin është ngrirë nga Kongresi Amerikan, deri në dhënien e garancive të qarta që po bëhen përparime në luftën kundër bombave artizanale.

Lëvizja reflekton përkeqësimin e madh të marrëdhënieve amerikano-pakistaneze, të cilat arritën një rekord të ulët historik, pas një bombardimi të gabuar të NATO-s mbi një postë kufitare, që shkaktoi vdekjene 24 ushtarëve. Më parë gjatë vitit, Islamabadi zyrtar protestoi në mënyrë të vendosur për shkeljen e sovranitetit territorial nga një njesi elitë e marinsave, të cilët vranë Bin Ladenin në vendndodhjen e tij në Abotabad.

Ndërkohë Uashingtoni ka shprehur disa herë pakënaqësinë e tij për përpjekjet e pakta të Pakistanit për të luftuar organizatën Haqqani, një degëzim i “Al-Kaedës”.
Sipas ekspertëve, ky mund të jetë hapi i parë i Shtëpisë së Bardhë në ndërprerjen e plotë të ndihmave për Pakistanin. Uashingtoni ka investuar rreth 20 miliardë dollarë në Pakistan që prej vitit 2001, në projekte të sigurisë, të zhvillimit të ekonomisë dhe të rimbursimit të shpenzimeve për sulmet kundër militantëve.
 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›