E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fyle viziton Tymoshenkon në burg

Komisioneri i Bashkimit Europian për zgjerimin, Stefan Fyle, vizitoi lideren e opozitës ukrainase, Yulia Tymoshenko, në burgun në Kiev ku ajo po mbahet.

Vizita e së martës erdhi disa orë përpara se gjykata të marrë në shqyrtim kërkesën e saj të apelit ndaj vendimit për shtatë vjet heqje lirie, për shkak të abuzimit me detyrën.
Në të njëjtën kohë me vizitën e Fyles në burg, përpara dyerve të gjykatës u mbajt një protestë masive, ku u regjistruan edhe disa përplasje.

Yulia Tymoshenko u shpall fajtore pasi firmosi me Rusinë një një marrëveshje gazi të dëmshme për interesat e Ukrainës, gjatë vitit 2009, kur ajo udhëhiqte shtetin. Burgosja është cilësuar si politike nga Brukseli, i cili ka bërë thirrje të përsëritura për lirimin e menjëhershme të lideres së Revolucionit Portokalli.

Megjithatë, dënimi jo vetëm që nuk u tërhoq, por ndaj saj u ngritën një javë më parë edhe dy akuza të reja, për evazion fiskal dhe përvetësim të fondeve shtetërore gjatë periudhës 1996-2000.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›