SHBA, nuk lirohet nga akuzat furnizuesi i Wikileaks
Nuk lirohet nga akuzat ushtari amerikan, që akuzohet për rrjedhjen më të madhe të dokumenteve sekrete në historinë e SHBA-së.
Gjykatësja ushtarake e Shteteve të Bashkuara, Denizë Lind, ka njoftuar vendimin në seancën e së mërkurës, pasi avokatët e Bredlli Meningut kanë kërkuar që të 22 akuzat kundër tij të hidhen poshtë.
Mening akuzohet se ka furnizuar ueb-faqen Wikileaks me më shumë se 700.000 raporte ushtarake nga Iraku dhe Afganistani, si dhe dokumente sekrete të SHBA-së, gjatë kohës që ka shërbyer në Irak.
Rrjedhja e dokumenteve ka hedhur dritë mbi vdekjet e civilëve dhe ka krijuar tensione diplomatike për Qeverinë e Shteteve të Bashkuara, e cila ka thënë se një gjë e tillë ka kërcënuar sigurinë kombëtare.
Avokatët e tij argumentojnë se Qeveria e Shteteve të Bashkuara vazhdimisht “fsheh” informacione të rëndësishme të rastit, që mund të ndihmojnë në mbrojtjen e tij.
Ndërkohë data e gjykimit nuk është caktuar ende.