E Shtunë, 31 Tetor 2026

SHBA nuk përjashton asnjë opsion kundër Iranit

Shtëpia e Bardhë tha se pret që raporti më i ri i Kombeve të Bashkuara mbi kapacitetet e Iranit për programin e tij bërthamor t’i bëjë të zëshme shqetësimet e Shteteve të Bashkuara për programin e Teheranit dhe dështimin e qeverisë së këtij vendi, në përmbushjen e obligimeve ndërkombëtare.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Joe Carney, nuk deshi të specifikojë gjetjet e raportit të fundit të Agjencisë Ndërkombëtare për Energji Bërthamore, që pritet të publikohet në ditët e ardhshme.

Carnej tha gjithashtu se aksionet ushtarake ndaj Iranit vazhdojnë të mbesin një opsion i mundshëm, por theksoi se Washingtoni do të jetë i fokusuar në përdorimin e mjeteve diplomatike për ta bindur Iranin të ndërpresë punën në programin e tij bërthamor dhe eventualisht në ndërtimin e armëve bërthamore.

Raportet që citojnë diplomatët ndërkombëtarë thonë se raporti i OKB-së ka gjasa të detajojë hulumtimet e bëra në Iran rreth zhvillimit të mundshëm të armëve bërthamore.

Presidenti i Iranit, Mahmoud Ahmadinejad ka paralajmëruar Shtetet e Bashkuara dhe Izraelin të mos ndërmarrin ndonjë sulm ndaj komplekseve bërthamore të vendit të tij.

Në një intervistë për gazetën egjiptiane, Al-Akhbar, Ahmadinejad tha se Irani “nuk do të lejojë” askënd të ndërmarrë akte ndaj tij. Ai tha se forca ushtarake iraniane është në rritje dhe po shkakton frikë tek Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›