SHBA, papunësia- shkurtohen 2.6 milionë vende pune
Numri i qytetarëve amerikanë që kanë humbur punën vitin e kaluar është më i madhi që nga koha e Luftës së Dytë Botërore, me 2.6 milionë shkurtime, ku vetëm për muajin dhjetor janë shënuar 524 mijë humbje. Norma e papunësisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka arritur në 7. 2 përqind në muajin dhjetor, që është më e larta e 16 viteve të fundit. Kompani të ndryshme amerikane po shkurtojnë vendet e punës, pasi konsumatorët kanë zvogëluar shpenzimet me frikën se ekonomia më e madhe botërore do të qëndrojë në recension për një kohë të gjatë. Të enjten, Presidenti i zgjedhur amerikan Barak Obama bëri thirrje për ndërmarrjen e veprimeve drastike, në mënyrë që të parandalohen shkatërrimi i ekonomisë. Norma vjetore e papunësisë më total është më e lartë nga ç'ishte parashikuar, pasi papunësia gjatë muajve tetor dhe nëntor, por edhe dhjetor u rrit shumë për shkak të krizës ekonomike. Shumica e humbjeve të vendeve të punës gjatë vitit të kaluar janë shënuar në katër muajt e fundit të vitit. Ndërkohë që humbjet më të mëdha të punës gjatë muajit dhjetor janë shënuar në sektorin e shërbimeve, me 273 mijë vende. Sektori i manifakturave arriti në 149 mijë, ndërsa në sektorin e industrisë së ndërtimeve shifra e papunësisë arriti në 101 mijë.