Maqedoni, zvogëlohet pragu elektoral për zgjedhjen e presidentit
Parlamenti i Maqedonisë ka miratuar me 86 vota pro 'Amendamentin 31 të Kushtetutës', me të cilin parashikohet zvogëlimi i pragut elektoral për zgjedhjen e Presidentit të vendit në raundin e dytë zgjedhor. Me ndryshimet e bëra, si President i Republikës së Maqedonisë do të zgjidhet kandidati që në raundin e dytë do të fitojë shumicën me 40-të përqind të votave. Zëvendësministri i Drejtësisë Ibrahim Ibrahimi, deklaroi se pas përfundimit të diskutimeve nga debati publik që, Ministria e Drejtësisë organizoi më dy dhjetor, mund të konstatohet se tërësisht është mbështetur ndryshimi i dispozitës kushtetuese për zvogëlim të pragut elektoral për zgjedhjen e Presidentit. Ndërkohë që deputetja Cvetanka Ivanova, u shpreh se grupi i deputetëve të LSDM-së i mbështet ndryshimet e 'Amandamentit 31', por që për zgjedhje korrekte dhe demokratike nuk nevojiten vetëm ndryshime të ligjeve dhe Kushtetutës, por edhe vullnet politik që zgjedhjet të zbatohen ashtu siç i ka hije një vendi demokratik. Ndryshimet kushtetuese në pjesën e zgjedhjes së Presidentit, në mënyrë konsensuale janë miratuar në takimin e liderëve të katër partive më të mëdha politike. Pas shpalljes së 'Amandamentit 31', pritet që kryetari i Parlamentut Trajko Veljanovski të shpallë datën për mbajtjen e zgjedhjeve presidenciale dhe lokale.