SHBA për “marrëdhënie jetëgjata” me Pakistanin

Përfaqësuesi special i Shteteve të Bashkuara në Pakistan dhe Afganistan, Mark Grossman, ka thënë se paqja në rajon do të varet nga “marrëdhëniet jetëgjata dhe të përcaktuara qartë” në mes të Washingtonit dhe Islamabadit.
Ai i ka bërë këto komente në kryeqytetin pakistanez, gjatë bisedimeve me zyrtarë ushtarakë.
Grossman ka thënë se është e rëndësishme për të dyja vendet që të bashkëpunojnë nga afër, për të garantuar “siguri dhe përparim” në rajonin e trazuar.
Mediat lokale thonë se presidenti i Pakistanit, Asif Ali Zardari, ka kërkuar nga Grossmani të shqyrtojë alternativat për sulmet e telekomanduara të Shteteve të Bashkuara, që godasin militantët e dyshuar.
Ky program i SHBA-së kritikohet ashpër nga autoritetet pakistaneze, të cilat thonë se sulmet nuk janë precize dhe vrasin edhe civilë të pafajshëm.