shkurt politikë
Bogdani: Nuk e votojmë buxhetin e Ramës
Edhe pas kthimit të projektligjit nga prefekti i Tiranës, PD-ja është e vendosur për të mos e votuar buxhetin e Tiranës. Arsyeja e këtij qëndrimi nga ana e demokratëve ka të bëjë me transparencën e fondeve nga kryebashkiaku Edi Rama. Zëdhënësi i PD-së, Gerti Bogdani, bëri dje të ditur se këshilltarët bashkiakë të kësaj force politike nuk do të votojnë buxhetin deri në transparencën e fondeve nga Edi Rama. "Pasi me figurën e tij të numërimit të votave, tamam si Mr. Dosja, u tregoi shqiptarëve se ju votoni dhe unë numëroj. Z. Rama, kryetar i bashkisë me korrespondencë, tashme e ka futur Tiranën në paralizë të plotë. Partia Demokratike e paralajmëron z. Rama se pa transparencën e plotë të buxhetit të Tiranës, këshilltarët e saj do ta votojnë atë kundër", - deklaroi Gerti Bogdani. Në këtë mënyrë, Partia Demokratike akuzoi kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, se po mban peng buxhetin e qytetarëve të kryeqytetit, vetëm e vetëm se atë e ka ndarë dhe përcaktuar për klanet e tij. Sipas tij, “Rama, si kryetar bashkie me korrespondencë, e ka futur Tiranën në një paralizë të plotë, sepse deklaron ose Koço-buxheti, ose buxhet nuk do të ketë”.
Rritja ekonomike, Bregu: Shqipëria, e 10-ta në botë
Qeveria publikoi dje një raport të Institutit Ndërkombëtar “Global Insight”, sipas të cilit, Shqipëria renditet e para në Evropë dhe e dhjeta në botë, si vendi me rritjen më të lartë ekonomike për vitin 2009. Duke iu referuar këtij fakti, zëdhënësja e Këshillit të Ministrave, Majlinda Bregu, vuri në dukje se ky klasifikim i ri konfirmon edhe një herë vlerësimin që organizatat më të mira ndërkombëtare u bëjnë reformave të ndërmarra nga qeveria shqiptare, që në krye të mandatit të saj. Sipas saj, është e rëndësishme për t’u theksuar se kjo rritje ekonomike e Shqipërisë nuk ka ardhur si rezultat i vlerësimit të ndonjë malli të rrallë e specifik, si nafta apo gazi në tregun botëror, siç ka ndodhur me Turkmenistanit që bën pjesë në 10-she, por ka ardhur tërësisht si rrjedhojë e rezultatit të politikave të suksesshme ekonomike të qeverisë shqiptare. “Raporti në fjalë dëshmon se Shqipëria është shkëputur përfundimisht nga imazhi i keq i vendit të prapambetur, duke përcjellë tashmë imazhin real të një vendi në zhvillim”. Zëdhënësja e qeverisë, njëherësh ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, ka deklaruar se Shqipëria tashmë është shkëputur nga imazhi i vendit të prapambetur, pasi sipas raportit të "Global Insight", Shqipëria renditet e para në Evropë dhe e dhjeta në botë, si vendi me rritjen më të lartë ekonomike për vitin 2009. "Kjo rritje ekonomike është arritur falë reformave të kësaj mazhorance dhe tregon përmbushjen e premtimeve që ka dhënë", - tha Bregu. Në kohën kur bota është mbërthyer nga kriza financiare ndërkombëtare, rritja ekonomike është kthyer në debatin më të fortë politik, pasi qeveria pretendon që për vitin e kaluar Shqipëria ka pasur një rritje dyshifrore. Ndaj përmes Bregut, qeveria shqiptare përshëndeti dje raportin e “Global Insight”, ku Shqipëria renditet vendi i parë në Evropë dhe e dhjeta në botë për rritjen e lartë ekonomike për vitin 2009.
Në një përfundim të tillë, paralelisht me “Global Insight”, sipas znj. Bregu, "kanë dalë edhe një sërë institutesh e organizmash të tjerë ndërkombëtare, si Banka Evropiane për Rindërtim e Zhvillim, Fondi Monetar Ndërkombëtar, Departamenti Ekonomik e Social i Kombeve të Bashkuara, “The Economist”, seksioni “Intelligence Unit” dhe Instituti Vjenez për Studime Ndërkombëtare Ekonomike". "I ardhur vetëm pak kohë pas vlerësimeve të Bankës Botërore, e cila e shpalli Shqipërinë si vendin e dytë në botë për zhvillimin ekonomik dhe të “Trasparency International”, që e renditi Shqipërinë të dhjetën në botë për luftën kundër korrupsionit, ky klasifikim i ri konfirmon edhe një herë vlerësimin që organizatat më të mira ndërkombëtare i bëjnë reformave të ndërmarra nga qeveria shqiptare, që në krye të mandatit të saj", - tha znj. Bregu.
UDC: Mbështetje PDK-së për zgjedhjet e 28 qershorit
UDC italiane do të mbështesë PDK-në në fushatën e ardhshme zgjedhore me ekspertë dhe logjistikë, si dhe do të monitorojë me përfaqësuesit e saj gjithë procesin zgjedhor, sidomos në ditën e zgjedhjeve. Një delegacion i UDC të Italisë zhvilloi një vizitë dyditore në vendin tonë, i ftuar nga kryetari i PDK-së, Nard Ndoka. Ky delegacion mori pjesë në një takim të zgjeruar me demokristianët shkodranë. Në këtë takim, përveç kryetarit të PDK-së, z. Ndoka, ka folur edhe përfaqësuesi i lartë i demokristianëve italianë, z. Luigi Baruffi, i cili vlerësoi bashkëpunimin e ngushtë midis dy partive demokristiane. Ai u shpreh se një moment i rëndësishëm për PDK-në është edhe mbështetja që do të japë UDC italiane për anëtarësimin e PDK-së në unionin e partive demokristiane dhe kristiandemokrate të Evropës.
PLL: Reformat sigurojnë një fitore të së djathtës
Reformat e suksesshme të qeverisë “Berisha” garantojnë një tjetër mandat qeverisës të së djathtës. Kryetari i Partisë Lëvizja e Legalitetit, Ekrem Spahiu, gjatë një takimi me strukturat e kësaj partie në Bulqizë, i cilësoi si të frytshme politikat e qeverisë për zhvillimin e zonave rurale, duke theksuar se “na duhet një mandat i dytë qeverisës, në mënyrë që programi i qeverisë për zhvillimin e këtyre zonave të përfundojë në mënyrë të plotë”. Sipas njoftimit zyrtar të PLL-së, ky takim kishte si qëllim materializimin e vendimeve të Këshillit Kombëtar për përshtatjen dhe funksionimin e strukturave lokale në rang qarku dhe tërheqjen e opinionit të tyre për një konkurrim sa më të suksesshëm në zgjedhjet e 28 qershorit. Spahiu u përqendrua në problematikën e zonës, si varfëria e trashëguar, niveli i lartë i papunësisë, migrimi i popullsisë dhe theksoi se "masat e ndërmarra nga qeveria me investime të drejtpërdrejta apo nxitje për biznesin, kanë filluar të japin frytet e para”.
Topalli feston në vendlindje karnavalet e Shkodrës
Kryetarja e Parlamentit, Jozefina Topalli, festoi dje karnavalet me bashkëqytetarët e saj shkodranë, një festë e kthyer tashmë në traditë për komunitetin e këtij qyteti. E shoqëruar nga drejtuesit më të lartë të qeverisjes vendore, si dhe deputetët e Shkodrës në Parlamentin shqiptar, znj. Topalli ka ndjekur nga afër procesionin e kësaj feste, gjatë së cilës është takuar me drejtuesit dhe organizatorët e aktivitetit, si dhe me vetë pjesëmarrësit e karnavaleve. Kryeparlamentarja Topalli ka preferuar të bëjë edhe një shëtitje në rrugën e pjacës së Shkodrës, gjatë së cilës ajo është takuar dhe përshëndetur me shumë banorë, bashkëqytetarë të saj shkodranë. Në rrugën “Kol Idromeno” e shndërruar kohët e fundit në pedonale, kryeparlamentarja pa nga afër fotot e ekspozuara nga festimet e karnavaleve, në vite, si edhe vizitoi një ekspozitë me piktura të vjetra shkodrane nga autorët më në zë të qytetit, të ekspozuara në Galerinë e Arteve. Gjatë të gjithë kohës, znj. Topalli është shoqëruar nga grupe të rinjsh me maska, që i dhanë një atmosferë tjetër qytetit në këtë ditë feste.
Kryebashkiaku i Urën Vajgurore largohet nga LSI
Ikjet dhe ardhjet e zyrtarëve mes PS-së dhe LSI-së vazhdojnë si një luftë e pandalshme se kush kontrollon bazën e majtë. Këtë radhë ka qenë një zyrtar i LSI-së, që ka lënë teserën e kësaj partie dhe ka folur me frazat e Edi Ramës, duke akuzuar Ilir Metën se po bën politikë të vjetër. Dje ka dorëzuar teserën e Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim, kreu i kësaj force politike në Urën Vajgurore, Syrja Ormenaj, i cili ishte njëkohësisht edhe kryetari i Bashkisë së Urës Vajgurore. Ormenaj ka deklaruar se arsyeja e largimit nga Lëvizja Socialiste për Integrim ka si shkak bashkimin e kësaj force politike me ish ministra të korruptuar. “Prej më shumë se një viti LSI është kthyer në oborrin personal të Ilir Metës. Lëvizja po afron çdo ditë e më shumë politikanë të së shkuarës, duke e bërë LSI nga një forcë e re në një forcë të politikës së vjetër”, -ka thënë Ormenaj.
Duke e cilësuar politikën aktuale të Lëvizjes Socialiste për Integrim një politikë të vjetër, Ormenaj ka argumentuar se i bashkohet Partisë Socialiste për t’i shërbyer një force politike që nuk i përket të shkuarës.
LSI paraqet programin qeverisës për shëndetësinë
Lëvizja Socialiste për Integrim paraqiti dje prioritetet e programit të saj qeverisës për sistemin shëndetësor, përmes motos “të shërojmë shëndetësinë e sëmurë”. Në këtë aktivitet merrte pjesë edhe lideri i LSI, z. Ilir Meta, nënkryetari i LSI dhe kryetar i Komisionit të Shëndetësisë pranë LSI, Prof. Sabit Brokaj, Sekretari i Përgjithshëm i LSI, Dr. Petrit Vasili, si dhe të tjerë drejtues të LSI, personalitete në fushën e shëndetësisë, si Dr. Enver Roshi, Dr. Pëllumb Pipero, Dr. Petrit Vargu. Prioritetet e LSI për shëndetësinë u paraqitën nga Prof. Sabit Brokaj, i cili renditi të parin garantimin e një shërbimi mjekësor gjithnjë e më pranë qytetarëve, duke siguruar funksionimin e qendrave shëndetësore edhe në fshatrat më të largëta dhe mbulimin me personel mjekësor të tyre. Krijimi i një urgjence kombëtare të arritshme nga çdo qytetar dhe me teknologjinë e duhur, për të dhënë shërbimin e nevojshëm për pacientin. LSI premtoi dhe ndërtimin i një skeme të sigurimeve shëndetësore reale, që garanton e mbulon plotësisht qytetarët, si dhe rritjen e financimit të shëndetësisë, si dhe mbështetjen e autonomisë së spitaleve.
Harasani: PS, pro investimeve të huaja, por kundër praktikave korruptive
Deputeti socialist, Andis Harasani, ka dalë dje para mediave për koncesionin e hidrocentralit në lumin Devoll. Ai ka sqaruar se “Partia Socialiste si sot në opozitë dhe nesër në pushtet do të mbështesë çdo koncesion dhe investim direkt që sjell zhvillim, veçanërisht në sektorët e ndjeshëm si energji, infrastrukturë dhe ujësjellës, por në asnjë mënyrë nuk mund të bashkohemi dhe të mbështesim procedura koncesionare joreale, jotransparente dhe korruptive si ajo mbi lumin Devoll!”. Sipas tij, nuk ka pasur studime para se të jepej koncesioni për këto asete me rëndësi kombëtare. Ndërkohë, ai akuzon se është shkelur çdo ligj dhe konkurrim, “duke aplikuar procedura që shkelin çdo barazi në tender, me qëllim nxjerrjen nga gara të investitorëve serioze potencialë, të cilët mes 101 vështirësish arrijnë të vijnë në Shqipëri”. Për këtë akuzë, ai përmend faktin që është skualifikuar nga tenderi i një kompanie, e cila sipas Harasanit, ishte nga më seriozet.