SHBA qëndrim të njëjtë ndaj rajonit pas zgjedhjeve
BEOGRAD- Ambasadori i SHBA-së në Beograd Cameron Munter deklaroi se raportet e Amerikës ndaj Kosovës dhe Serbisë nuk varen nga epilogu i zgjedhjeve të sotme.
"Mes kandidiatëve për president, John McCain dhe Barack Obama ekziston konsensusi, që të vazhdohet politika e deritashme ndaj Ballkanit Perëndimor", ka thënë Munter.
Ai është shprehur se SHBA konsideron se statusi i Kosovës është zgjidhur, ndërsa SHBA i dëshiron sukses Serbisë dhe Kosovës në rrugën e tyre drejt BE-së.
Nga Izmiri Turqisë Presidenti i Kroacisë Stipe Mesic deklaroi se çfarëdo vendimi, që merr Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë mbi ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës, ai do jetë vetëm këshilldhënës.
Mesic bëri këto komente pas takimit të përbashkët me presidentin e Malit të Zi Filip Vujanovic atë të Bosnjes Haris Silajxhiq dhe me ish-presidentin turk
Sulejman Demirel, në Izmir të Turqisë, ku është biseduar për situatën në Bosnjë, Serbi dhe Kosovë.
Duke folur për Kosovën, Demirel dhe Mesic janë pajtuar se Beogradi dhe Prishtina duhet t'i përshtaten realitetit të ri, që është krijuar pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës.
(s.g/Europaelire/BalkanWeb)