E Shtunë, 31 Tetor 2026

Libri, Ahtisari dhe Rehn mbrojnë pavarësinë e Kosovës

 

PRISHTINE- Fituesi i çmimit Nobel, ish-presidenti finlandez Martti Ahtisaari e mbron fuqishëm vendimin e tij në favor të pavarësisë së Kosovës edhe në një libër të sapo dalë nga shtypi në Finlandë. Sipas Ahtisaarit, Kosova është pikësëpari një çështje evropiane dhe BE-ja nuk duhet të lejojë që ajo të bëhet "një konflikt i ngrirë", si disa raste të tjera në botë.
Libri mban titullin "Suomalaisten kovat paikat", i shtëpisë botuese "Tammi" (përkthimi i titullit finlandez në gjuhën shqipe: "Finlandezët në rrethana të vështira") dhe doli në shtyp këto ditë.

Në libër Ahtisari shkruan se beson se njohja e pavarësisë së Kosovës do të bëhet edhe nga ato shtete që për shkaqe të ndryshme nuk e kanë njohur Kosovën. Ahtiasri beson se këto shtete mund ta rishqyrtojnë çështjen kur të vërejnë që Kosova është një rast "sui generis" nga pikëpamja e ligjeve ndërkombëtare.

Libri përmban dhe shkrime të tjera të disa veprimtarëve finlandezë në Ballkanin Perëndimor në vitet 1992-2008 si Elisabeth Rehn, e dërguar e OKB-së në ish-Jugosllavi dhe në Bosnjë-Hercegovinë në vitet e 1990-ta; Helena Ranta, mjeke ligjore që punoi në Bosnjë-Hercegovinë dhe në Kosovë gjatë viteve 1996-2001; Alpo Rusi, këshilltar i presidentit Ahtisaari në vitet 1994-1999 dhe më vonë ambasador i Finlandës në Ballkanin Perëndimor; Arto Räty, ish-komandant i KFOR-it finlandez; etj.

Libri përfundon me shkrimin e komisarit për zgjerim të BE-së, Olli Rehn. Me këtë rast ai shpreh mendimin e tij për të ardhmen e shteteve të Ballkanit Perëndimor në kornizën e BE-së, duke e përfshirë këtu edhe Kosovën dhe Serbinë. Kosova dhe stabiliteti i Ballkanit Perëndimor janë një sprovë për BE-në në të cilën ajo nuk duhet të dështojë, shkruan Rehn.

(s.g/rtk.BalknaWeb)



Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›