SHBA, qeveria federale financohet edhe për tre javë

Dhoma e Përfaqësuesve e Kongresit amerikan ka miratuar një masë të përkohshme për vazhdimin e financimit të qeverisë federale edhe për tre javë të tjera, në përpjekje për të mënjanuar bllokimin e qeverisë në mesnatë të ditës së premte. Por 54 ligjvënës republikanë votuan kundër masës së propozuar nga vetë udhëheqja republikane, duke dërguar kështu një mesazh të qartë se ata janë të lodhur me masa të përkohshme buxhetore.
Votimi ishte 271 vota pro dhe 158 kundër masës për financimin e përkohshëm të qeverisë federale, e cila sanksionon shkurtimet me 6 miliard dollarë për programet që nuk i përkasin mbrojtjes gjatë tre javëve të ardhshme.
Demokratët dhe Republikanët janë përfshirë në një betejë epike gjatë muajve të fundit mbi shpenzimet qeveritare, duke mos rënë dakord se cilat programe qeveritare duhen shkurtuar dhe sa duhen shkurtuar. Shumica republikane në Dhomën e Përfaqësuesve është në favor të shkurtimeve më të mëdha sesa Presidenti Barak Obama dhe Senati i kontrolluar nga partia e tij demokratike. Por mendimet e demokratëve dhe republikanëve përputhen në një pikë të vetme se amerikanët janë të lodhur me masa të përkohshme buxhetore.