E Shtunë, 31 Tetor 2026

Situatë kritike në Japoni, kërkohet ndihmë nga SHBA-ja

Një tjetër tërmet i fuqishëm me magnitudë 6 ballë është regjistruar së fundmi në lindje të Tokios, me epiqendër të lokalizuar në një thellësi prej 25 km në fund të oqeanit paqësor dhe 96 km në lindje të Tokios.

Një lëvizje sizmike e mëparshme, po me magnitudë të njëjtë, kishte tronditur disa orë me parë Japoninë juglindore me epiqendër në prefekturën e Shizuokas.

Që pas tërmetit 9 ballë të së premtes, janë regjistruar qindra lëvizje sizmike. Ndërkaq situata mbetet kritike në Fukushima, pas shpërthimit dhe zjarrit që u regjistruan në reaktorët nuklearë.

Kryeministri Naoto Kan deklaroi në televizion se shpërhtimi ka provokuar rrjedhje radioaktive dhe u kërkoi banorëve në një rreze prej 30 km nga centrali, të mos dalin nga shtëpitë e tyre.

Në Tokio rrezatimet janë 10 herë më të larta se sa niveli normal. Probleme janë paraqitur edhe në reaktorin 3 të Fukushimas dhe për pasojë, operacionet e pompimit të ujit po vijojnë në rekatorët 1, 2 e 3.

Ndërsa bilanci i viktimave vijon të rritet, edhe pse shifrat janë provizore. Japonia ka kërkuar ndihmën e SHBA-së për sigurinë në centralet nukleare.

Punëtorët janë kthyer në centralin atomik në Japoni, që është dëmtuar nga tërmeti dhe cunami, pasi ishin evakuuar përkohësisht për shkak të nivelit të lartë të rrezatimit.

Autoritetet kanë shpallur planet emergjente për reaktorin numër 4 në centralin atomik në Fukushima, për të mundësuar arritjen e makinave zjarrëfikëse.

Ishte raportuar për zjarrin e dytë në këtë reaktor, ku kontenierët e karburantit të përdorur janë të depozituar në dhomën e ftohjes.

Nga ana tjetër, tym i bardhë, që mund të jetë avull, është parë duke dalë nga reaktori numër 3.

Japonia theksoi se ka kërkuar ndihmë nga Uashingtoni për tu marrë me këtë krizë.

Njëherësh, një tërmet prej 6 shkallësh ka dridhur ndërtesat në Tokio.

Ndërkohë numri zyrtar i personave që humbën jetën nga tërmeti i së premtes dhe cunami, arriti në 3600 persona, por thuhet se ky numër mund të jetë edhe më i madh.

Afro 500 mijë persona janë strehuar përkohësisht, ndërsa ushqimi dhe karburanti janë në sasi gjithnjë e më të vogël.
 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›