E Shtunë, 31 Tetor 2026

SHBA, rritje e çmimeve të ushqimeve vitin e ardhshëm

Çmimet e ushqimeve priten të rriten vitin e ardhshëm në Shtetet e Bashkuara për shkak të thatësirës që ka përfshirë zona të mëdha të Miduestit.

Lajmin e ka bërë të ditur Departamenti amerikan për Agrokulturën, i cili ka parashikuar se çmimi i qumshtit, vezëve dhe mishit do të rritet mbi kuotën normale të inflacionit, duke qenë se moti i thatë ka rritur kostot për ushqimin e kafshëve.

Çmimet pritet të rriten me 3 ose 4 për qind në vitin 2013, me çmimin e mishit të lopës që do të arrijë deri në 5 për qind. Thatësira që po prek pjesën më të madhe të zonës së Miduestit është më e keqja që prej vitit 1956.

Çmimet e drithërave dhe sojës kanë “fluturuar” së fundmi, pasi fushat e prodhimit janë tharë dhe të korrat janë pakësuar.

Aktualisht inflacioni për mallrat ushqimore në Shtetet e Bashkuara është rreth 2.8 për qind në vit. Thatësira pritet të prekë tani çmimet e frutave dhe perimeve, pasi të korrat për këto ushqime kanë rënë.
 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›