I jepet sot lamtumira poetit Ali Podrimja

Trupi i pajetë i poetit Ali Podrimja ka mbërritur sot paradite në Kosovë ndërsa në orën 12:00 deri në orën 14:00 në mjediset e Akademisë së Shkencave dhe Arteve në Prishtinë do të zhvillohen homazhet për nder të tij.
Miq, kolegë, të afërm, personalitete të politikës dhe kulturës në Kosovë do t`i japin lamtumirën e fundit poetit të shquar Ali Podrimja ndërsa më pas, në orën 14:00 trupi i pajetë i tij do të përcillet për në banesën e fundit në varrezat e Prishtinës.
Ndërkohë në raportin mjekoligjor të kryer nga autoritetet franceze thuhet se vdekja e poetit Podrimja është natyrale. Sipas autoriteve franceze ndaj poetit nuk është ushtruar dhunë dhe supozohet se akademiku Podrimja nuk ka bërë vetëvrasje, por duke humbur orientimin në pyll, ka vdekur si pasojë e dehidratimit.
Sipas mediave kosovare raporti i autopsisë nuk pritet të mbërrijë në Kosovë para dy javësh, për shkak të procedurave ligjore që duhen zbatuar.
Trupi i pajetë i poetit Ali Podrimja u gjet disa ditë më parë në një pyll në anën perëndimore të qytetit Lodeve në Francë ku ndodhej në kuadër të festivalit të poezisë “Voix de la Méditerranée”.