Kuçi apel serbëve të veriut: Hiqni barrikadat për të mirën tuaj

Zëvendëskryeministri i Kosovës Hajredin Kuçi ka kërkuar të hiqen barrikadat në veri, por pa lënduar qytetarët e asaj pjese.
“Barrikadat janë vendosur brenda territorit të Kosovës, dhe ato janë duke mbajtur peng vetë qytetarët serbë të veriut të Mitrovicës. Është një mundësi e mirë që vetë qytetarët serbë ti heqin ato, sepse kanë mbetur populli më i izoluar në Evropë”, ka thënë Kuçi.
Ai ka theksuar se fajin për barrikadat nuk e kanë qytetarët serb të veriut por strukturat ilegale që janë duke vepruar në atë pjesë.
“Pavarësisht kësaj ne nuk do ti dëmtojmë qytetarët tanë, por do mundohemi të dëmtojmë strukturat kriminale që janë duke vepruar dhe janë duke i nxitur qytetarët e veriut”, ka thënë Kuçi.
Ndërsa dje u mbush një vit nga aksioni i policisë së Kosovës për të marrë nën kontroll pikat kufitare 1 dhe 31 në veri, disa prej barrikadave të vendosur nga banorët serbë vijojnë ende të mbeten aty duke penguar lëvizjen e lirë.