E Shtunë, 31 Tetor 2026

SHBA shmanget kriza. Arrihet ne limit marreveshja per buxhetin

Republikanët dhe demokratët amerikanë kanë arritur një marrëveshje të minutës së fundit mbi nivelet e shpenzimeve për buxhetin e qeverisë federale për vitin 2011. Një dështim i mundshëm do të detyronte qeverinë federale të mbyllte një numër shërbimesh e që do të kishin nxjerrë të papunë me qindra mijëra njerëz.

Marrëveshja njoftohet se është arritur një orë para afatit përfundimtar në mesnatë dhe palët në Kongres kanë arritur të kalojnë draftin që lejon qeverinë të vazhdojë punën deri javën e ardhshme, derisa plani buxhetor i 2011 të finalizohet. Republikanët thanë se marrëveshja ishte arritur në këmbim të shkurtimeve prej 37.8 miliardë dollarë në shpenzime buxhetore deri në fund të vitit fiskal më 30 shtator. Presidenti Obama, edhe pse i buzëqeshur, ka pranuar vështirësitë e marrëveshjes.

"Jam i lumtur të njoftoj se monumenti i Washingtonit dhe qeveria federale do të jetë e hapur për punë. Disa nga shkurtimet që ne kemi rënë dakord do të jenë të dhimbshme. Programet nga të cilat varen shumë njerëz do të shkurtohen. Infrastruktura e nevojshme do të ketë vonesa. Nuk do t’i kisha bërë këto shkurtime nëse rrethanat do më lejonin” deklaroi Obama.

Pas ditë të tëra negociatash të tensionuara, marrëveshja ka tejkaluar rrezikun e bllokimit të qeverisë federale e para në më shumë se 15 vjet. Por, rreziku më i madh do të kishte qenë si për Obamën, demokratët e tij, por edhe republikanët, zemërimii publikut ndërsa fushata presidenciale ka nisur të nxehë motorët.

Juli Prifti

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›