E Shtunë, 31 Tetor 2026

SHBA-të krenare që e kanë mike Kosovën

(E plotësuar) Ambasadorja e re të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Tracey Jacobson ka thënë të enjten se që nga shpallja e pavarësisë, Kosova ka arritur përparim të jashtëzakonshëm, duke shprehur gjithashtu përkushtimin që së bashku me udhëheqësit e Kosovës mund të qojnë përpara sundimin e ligjit dhe të vendosin themele të forta të demokracisë.

Jacobson, këto komente i bëri gjatë dorëzimit të letrave kredenciale, Presidentes Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga.

Jacobson, e ka ndier veten krenare që përfaqëson Presidentin Obama dhe SHBA-të, gjithashtu ka thënë se SHBA-të janë krenare ta quajnë Kosovën mike.

Ajo duke folur për përparimin që ka bërë Kosova që nga viti 2008, ka thënë se në Kosovë ka një përparim të jashtëzakonshëm.

“Është me të vërtet kënaqësi që jam këtu në ceremoninë zyrtare të prezantimit të letrave kredenciale, ilustron pak nga përparimi i jashtëzakonshëm që Kosova ka arritur prej shpalljes së pavarësisë. Gjatë kohës sime të shkurtër këtu, vetëm sa kam vërejtur edhe llojshmërinë dhe pasurinë që e ka Kosova”, ka theksuar Jacobson.

Ajo ka shtuar se mirëpret angazhimin në biseda të shumta me politikanë e biznese, si dhe me shoqërinë civile. Ajo beson se duke punuar së bashku me liderët e Kosovës, do të mund të ketë përparim në sundim të ligjit.

“Jam e bindur që duke punuar së bashku në partneritet, udhëheqësit e Kosovës mund të qojnë përpara sundimin e ligjit dhe të vënë themele të forta për një të ardhme të begatshme, stabile dhe demokratike”, ka thënë ajo.

Nga ana tjetër, presidentja e vendit, Atifete Jahjaga me rastin e paraqitjes së letrave kredenciale, i ka uruar ambasadores në Republikën e Kosovës, Tracy an Jacobson, punë të mbarë dhe sukses.

Ajo ka shtuar se në këtë detyrë dhe mision shumë të rëndësishëm, Jackobson do të vazhdojë punën e mirë që kanë bërë të gjithë ambasadorët dhe përfaqësuesit diplomatik të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë.

Sipas saj për Republikën e Kosovës, zhvillimi i marrëdhënieve shumë të mira dhe miqësia e përhershme me SHBA-të është qenësore në zhvillimin tonë si shoqëri dhe si shtet demokratik i të gjithë qytetarëve.

“Përkrahja dhe ndihma e vazhdueshme e SHBA-ve vlerësohet lartë nga populli ynë në rrugë tonë të çlirimit, të pavarësimit dhe për liri, si zgjidhje e drejt që Republika e Kosovës si shtet sovran dhe i pavarur me sovranitetin dhe integritetin e garantuar, është faktor paqeje dhe stabiliteti, që zhvillon marrëdhënie të mira fqinjësore dhe bilaterale me shumë shtete, të cilat tashmë e kanë njohur pavarësinë e vendit”, ka thënë Jahjaga.

E para e vendit ka thënë se Kosova duke qenë një vend demokratik i gjithë qytetarëve të saj pa dallim, synon edhe integrimin në strukturat euro-atlantike dhe në Bashkim Evropian.

“Edhe me këtë rast dëshiroj të theksoj, se Republika e Kosovës si shtet demokratik i të gjithë qytetarëve të saj të lirë dhe të barabartë, pa dallim përkatësie etnike, e fetare, është e sigurt në rrugën e saj të integrimeve euro-atlantike dhe Bashkim Evropian, po jep kontribut shumë të rëndësishëm që vendi i ynë t’i plotësojë të gjitha obligimet e veta dhe t’i arrijë të gjitha standardet që me sukses të kapërcejë të gjitha fazat deri në anëtarësimin e plotë në Bashkimin Evropian dhe në NATO”, ka theksuar presidentja.

Për më tepër ajo ka shtuar se për vendin tonë krahas zhvillimit ekonomik dhe përparimit të përgjithshëm dhe sistemit të mirë të arsimit, të shëndetësisë dhe të fushave të tjera, është shumë domethënëse që në kuadër të avancimit të proceseve demokratike të sundimit të plotë të ligjit dhe të rendit, të ketë rezultate konkrete në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

“Në këtë proces jemi të gjithë bashkë, kemi vullnetin dhe përkushtimin, dhe kemi përkrahjen e të gjithë popullit dhe gjithsesi do të kemi suksese”, ka thënë ajo.

Vjen Shefja

Ambasadorja e re e SHBA’së në Prishtinë, Tracey Jacobson do t’ia dorëzojë sot letrat kredenciale Presidentes Jahjaga. Jacobson ka thënë se mezi pret të nisë punën për të forcuar demokracinë në Kosovë. Analistët nuk presin ndryshim të raporteve mes politikës kosovare me Dragodanin. Analisti Armand Shkullaku thotë se sjellja e Ambasadores së re do të varet nga sjellja e liderëve politikë të Kosovës.

Ambasadorja e re e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Tracey Jacobson prej të enjtes do të nisë punën në Prishtinë.

Ajo në mesditë do t’ia dërgojë letrat kredenciale Presidentes Jahjaga, e cila sapo është kthyer prej pushimeve verore.

“Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga pret në takim (e enjte, ora 11.30) Ambasadoren e re të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Tracey Jacobson, e cila do t’i dorëzojë letrat kredenciale”, thuhet në njoftimin e Presidencës dërguar mediave, të mërkurën.

Zyra e Presidentes Jahjaga është përkujdesur t’i njoftojë gazetarët me kohë që të mos përgatiten për t’i bërë pyetje Ambasadores dhe Shefes së Shtetit.

Jahjaga dhe Jacobson do të lexojnë vetëm deklarata para mediave.

“Pas takimit, do të ketë vetëm deklarata për media”, ka njoftuar Presidenca.

Ambasadorja Jacobson para disa ditësh ka prezantuar veten dhe qëllimet e saj për Kosovën në një video në gjuhën shqipe.

Jacobson, e cila merret me diplomaci prej vitit 1988, ka thënë se mezi pret të vijë në Kosovë dhe të nisë punën në Prishtinë.

Duke folur në gjuhën shqipe, Jacobson ka treguar edhe misionin e saj.

“Misioni im do të vazhdojë të jetë ai i një partneri të fuqishëm, në përpjekjet e Kosovës për forcimin e demokracisë shumetnike dhe për të ndërtuar një ekonomi të suksesshme drejt rrugës europiane”.

Por si e shohin në Prishtinë ardhjen e ambasadores së re?

Analisti Armand Shkullaku konsideron se qasja amerikane nuk do të ndryshojë në raport me Prishtinën, por mund të ndryshojë qasja personale e Ambasadores në raport me politikën vendore.

Ai thotë se në masë të madhe sjellja e Ambasadores së re do të varet nga sjellja e liderëve politikë të Kosovës.

“Formimi dhe karriera e kësaj ambasadoreje do të jetë njëra ndër pikat kryesore se si ajo do t`i qaset publikut, qytetarëve dhe partnerëve të saj në Kosovë – Qeverisë dhe forcave politike. Sigurisht do të varet mjaft edhe nga qëndrimi i politikanëve në Kosovë. Nëse ata duan të ndjekin të njëjtën qasje më shumë servilizëm sesa partneritet, sigurisht se çdo ambasadori do t’i krijojë kushte të favorshme për ta shfrytëzuar një gjë të tillë”, ka thënë Shkullaku, për Express, të mërkurën.

“Edhe nëse nuk e ka ndërmend ambasadorja e re të jetë aq aktive dhe imponuese sa më përpara, ndoshta edhe vetë politikanët e Kosovës i joshin të bëhen të tillë, pasi për çdo veprim që bëjnë, për çdo aksion që ndërmarrin, duan të kenë edhe bekimin e tyre”, ka shtuar ai.

Sipas tij, edhe përzierja e Dellit në pothuajse secilën ngjarje publike në Prishtinë, ka ardhur për shkak të pafuqisë së shtetit të Kosovës në raport me ambasadorin e shtetit më të fuqishëm në botë.

“Kemi pasur një përqasje individuale të Ambasadorit Dell. Nuk kemi pasur një qëndrim zyrtar të SHBA’së dhe State Departamentit të Shtetit ndaj zyrtarëve apo politikanëve të caktuar në Kosovë. Dell ka pasur një qëndrim tepër aktiv, ka qenë prezent në shumë vende. Kjo vjen sigurisht edhe nga një lloj arrogance që vihet re te diplomatët e fuqishëm në vendet me sovranitet të kufizuar, apo në vendet me probleme siç është Kosova, apo edhe me vendet e Ballkanit”, ka thënë ai.

Prej viteve ‘90, raportet mes institucioneve të Kosovës dhe Zyrës Ndërlidhëse Amerikane në Kosovë kanë qenë të ngushta.

Prej përfundimit të luftës e këtej, pothuajse çdo vendim i rëndësishëm për Kosovën fillimisht ka kaluar nëpër Ambasadën Amerikane në Prishtinë, e pastaj është vendosur në institucionet vendore.

Ndërhyrja amerikane ka qenë vendimtare edhe në prillin e vitit të kaluar, kur Kosova ishte në prag të një krize të thellë politike.

Në atë kohë, Christopher Dell mblodhi liderët kryesorë politikë dhe i detyroi ata të merren vesh për të tejkaluar krizën politike, duke e zgjedhur në krye të Shtetit, Atifete Jahjagën.

Se a do të ketë qasje të tillë edhe Ambasadorja Tracey Jacobson, mbetet të shihet në dy vitet në vazhdim.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›