E Shtunë, 31 Tetor 2026

Veriu, tema kryesore e dialogut Kosovë - Serbi

Zgjidhja e problemeve në veri të Kosovës do të jetë tema kryesore në dialogun që pritet të fillojë në nivelin politik midis Kosovës dhe Serbisë. Kështu ka deklaruar ambasadori britanik Ian Cliff për radion Kontakt Plus.

"Por, në këtë dialog nuk do të hapet çështja e statusit pasi ajo është kryer, ndërkaq zgjidhja për veriun duhet të gjendet vetëm brenda planit të Ahtisaarit pasi veriu është çështje e brendshme e Kosovës", tha Cliff.

Fakti se veriu i Kosovës do të jetë tema kryesore në dialogun politik që prite të fillojë midis Kosovës dhe Serbisë nuk do të thotë se nuk do të diskutohen tema tjera tha Cliff.

Cliff ka thënë se problemi i veriut është problemi më i madh midis Kosovës dhe Serbisë dhe kjo çështje nuk mund të zgjidhet pa biseduar me Beogradin.

Cliff, ka theksuar se zgjidhja e vetme për veriun është brenda planit të Ahtisaarit, ndërsa ka theksuar se duhet shfrytëzuar përparësitë që ky plan ofron për serbët. Ambasadori britanik tha se në këtë dialog politik nuk do të ketë diskutime për statusin e Kosovës, pasi kjo çështje është zgjidhur dhe Kosova është njohur ndërkombëtarisht.

“Veriu i Kosovës është çështje brendshme e Kosovës, por është e pamundur të zgjidhet pa diskutuar me Beogradin. Qeveria në Prishtinë e di se ky është qëndrimi zyrtar i Britanisë së Madhe”, tha Cliff.

Ai ka thënë se deri më tani, midis Kosovës dhe Serbisë është zhvilluar një dialog teknik, por tani shtrohet nevoja për një mënyrë tjetër bisedimesh, sepse, siç ka thënë ai, duhet zgjidhur ky problem politik që ekziston me veriun.

Ai tha se dialogu që pritet të fillojë nuk do të jetë aspak i lehtë, veçanërisht me Qeverinë e re të Beogradit, por ka shtuar se tani është momenti që të shkohet përpara në zgjidhje të këtij problemi.

Në shtator, tha Cliff, shpreson se dialogu për çështje teknike do të vazhdojë, por, fillimisht, duhet të implementohen marrëveshjet e arritura deri më tani, e në mënyrë të veçantë marrëveshja për Menaxhimin e Integruar të Kufijve. Kjo është çështje e komplikuar por duhet ecur përpara, kurse më pas do të vijnë në radhë çështjet e energjetikës, tele-komunikaciont dhe çështjet tjera.

Cliff tha se ekzistojnë kushte të Bashkimit Evropian për Serbinë siç është ajo për fqinjësi të mirë dhe ky kusht nuk mund të plotësohet pa zbatimin e marrëveshje për integrimin e kufijve, përkatësisht pa kontrollin e përbashkët të kufijve midis Kosovës dhe Serbisë. Përmirësimi i marrëdhënieve me Kosovën është çelës për të hapur rrugën e Serbisë drejt Bashkimit Evropian. /rtk/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›