E Shtunë, 31 Tetor 2026

SHBA-të, mik i madh historik dhe aktual i shqiptarëve

04-10-2011 / Gazeta 55

Ambasada amerikane në Tiranë organizoi sot një pritje me të ftuar në mjediset e rezidencës së ambasadës, me rastin e 20-vjetorit të rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike Shqipëri- SHBA. Dy ditë më parë kryediplomati amerikan në Tiranë, Aleksandër Arvizu, premtoi se ambasada do çelë dyert për të ftuarit, me rastin e kremtimit të 20 vjetorit të rivendosjes së raporteve diplomatike si dhe në përkujtim të miqësisë 89 vjeçare të të dy vendeve. Ambasadori Arvizu mirëpriti në këtë takim fillimisht kryeministrin Sali Berisha, kryetaren e Kuvendit Jozefina Topalli, ministrin e Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto si dhe presidentin Bamir Topi. Në ceremoni mungoi kreu i PS-së Edi Rama, i cili mbërriti aty disa minuta me vonese, atëherë kur të pranishmit po mbanin fjalimet përkatëse


Berisha: Shqiptarët përgjithmonë proamerikanë


“Çdo shqiptar është krenar me pro-amerikanizmin e tij, ndjenjë kjo e rrënjosur në lirinë e tyre dhe që do të zgjasë për sa kohë të jetojë ideali i lirisë”. Kështu u shpreh sot në mbrëmje kryeministri Sali Berisha gjatë pritjes së dhënë nga ambasadori i SHBA-së në Tiranë, Aleksandër Arvizu, me rastin e 20 vjetorit të rihapjes së kësaj përfaqësie diplomatike në vendin tonë. Kryeministri theksoi se, rihapja 20 vite më parë e ambasadës së SHBA-së në Tiranë është një nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë e marrëdhënieve mes dy vendeve, por edhe në historinë e kombit shqiptar. “Shqiptarët patën rastin t’i dëshmojnë kombit tuaj dhe mbarë botës në pranverën e vitit 1991 se vërtetë ambasada e SHBA-së pushoi së funksionuari gjatë viteve të egra të diktaturës, por kjo ndërtesë gjeti strehë të plotë në zemrën dhe mendjen e shqiptarëve”- u shpreh Berisha. Sipas tij, “këtë e dëshmoi pritja e jashtëzakonshme që shqiptarët i rezervuan sekretarit amerikan, Bejker në Tiranë”. “Kjo pritje dëshmoi se aspiratat e tyre të lirisë ishin të njehsuara me dashurinë dhe respektin për kontributin e SHBA-së në lirinë e shqiptarëve. Por vizita e Bejker në Tiranë solli edhe mesazhin e qartë se Shqipëria nuk mund të mbetej si Kuba e Ballkanit”- tha Berisha. Kryeministri solli në kujtesë vendimet e rëndësishme të SHBA-ve që kanë të bëjnë direkt me ekzistencën e lirë të shqiptarëve dhe me pavarësinë e tyre, në një kohë kur të tjerët vendosën ta fshinin nga harta Shqipërinë. “Gjatë Luftës së Dytë Botërore, shqiptarët luftuan në koalicion me vendin tuaj të madh por ranë në diktaturën më mizore. Në vitin 1991 Presidenti Bush dhe Sekretari i Shtetit Bejker sollën mesazhin e lirisë për shqiptarët. Më pas Presidenti Klinton udhëhoqi NATO-n në çlirimin e shqiptarëve të Kosovës nga një regjim barbar. Presidenti Bush udhëhoqi komunitetin ndërkombëtar me pavarësinë e Kosovës dhe Presidenti Barack Obama firmosi anëtarësimin e Shqipërisë në NATO”- tha Berisha, duke sjellë në vëmendje të gjitha aktet madhore të SHBA-ve që kanë të bëjnë me lirinë e shqiptarëve. Kryeministri Berisha shprehu gjithashtu mirënjohjen për ndihmën dhe mbështetjen e SHBA-së gjatë këtyre 20 viteve të fundit për ndërtimin dhe konsolidimin e demokracisë në Shqipëri. “Jam dëshmitar i asaj kohe kur vendi ngjante me një akullanjë të vërtetë dhe era e lirisë do të shkrinte një nga një akujt e këtij vendi. Ne jemi një komb i vogël dhe gjëja më e madhe që mund t’i ofrojmë kombit tuaj në shenjë mirënjohje dhe respekti, është ndërtimi dhe konsolidimi i atyre vlerave të mëdha që kanë bërë kombin amerikan më të madhin dhe të fuqishmin e botës”- tha në përfundim kryeministri Sali Berisha.


Ambasadori amerikan, Arvizu: SHBA-të do vazhdojnë të mbështesin përparimin e vazhdueshëm të Shqipërisë


Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Aleksandër Arvizu, tha sot në pritjen e organizuar me rastin e 20 vjetorit të rihapjes së ambasadës amerikane në Tiranë, se SHBA-të dhe Shqipëria, kanë një marrëdhënie të qëndrueshme dhe të ngushtë, një marrëdhënie që pasqyron angazhimin e ndërsjelltë ndaj vlerave universale të lirisë dhe parimeve demokratike. Duke nënvizuar se ndjehet krenar për të folur mbi miqësinë e madhe dhe partneritetin e thellë mes dy vendeve tona, Arvizu tha se “është një partneritet jetëgjatë që ndërtohet mbi pikëpamje që bashkë ndajmë, për një Shqipëri të lirë dhe të begatë, me një demokraci të fortë dhe të gjallë që adreson aspiratat e shtetasve të saj”. Sipas tij, 20 vite më parë në Tiranë, në verën e 1991, Sekretari Amerikan i Shtetit, Xhejms Bejker, iu afrua një mikë-pritje zhurmë madhe nga mijëra shqiptarë, dhe mesazhi kryesor i tij ishte “Liria funksionon”. “Sekretari Bejker, dëgjoi nga shqiptarët që Amerika është me ne. Po, absolutisht që po, ne kemi qenë gjithmonë në anën e kombit shqiptarë dhe ne do vazhdojmë të mbështesim përparimin dhe avancimin e vazhdueshme të Shqipërisë, integrimi euro atlantik, një shtet i fortë ligjor, një ekonomi e begatë e drejtuar nga tregu dhe institucione të pavarura dhe demokratike. Këto janë aspiratat e popullit shqiptarë”- deklaroi Ambasadori i SHBA-së. Ai vlerësoi se përparimi i Shqipërisë gjatë 20 viteve të shkuara është i dukshëm pasi, sipas tij, “asnjë vend në Ballkan, nuk ka udhëtuar kaq shumë e larg, për një periudhë kaq të shkurtër kohe”. Duke vënë në dukje se populli shqiptar ka folur vendosmërisht sesi e përfytyron ai të ardhmen e vendit të tij, Arvizu theksoi se “e ardhmja e Shqipërisë është në duart tuaja dhe në duart e të gjithëve”. “Ju përket ju ta përcaktoni të ardhmen. Mundësitë tuaja për sukses do të përmirësoheshin së tepërmi, nëse punoni së bashku për një qëllim të përbashkët dhe për të mirën e përbashkët. E ndërsa e bëni këtë, të jeni të sigurt se SHBA-të, do të vazhdojnë të jenë në anën e popullit shqiptarë”- deklaroi Ambasadori amerikan. Në kuadër të aktiviteteve të organizuara nga ambasada Amerikane, Arvizu bëri të ditur se “të hënën në mëngjes, në një ceremoni solemne private, ngritëm flamurin amerikan në nderim të dy vendeve tona”. “Secili prej nesh, si kolegët shqiptarë dhe amerikanë, qëndruam krah për krah, për të kujtuar atë që ka ndodhur 20 vite të shkuara. U ndalëm të mendojmë mbi perspektivën e Shqipërisë në të ardhmen dhe se si ne, si Ambasadë Amerikane, të mund të ndihmojmë nxitjen e përparimit të vazhdueshëm të Shqipërisë”. Gjithashtu ai bëri të ditur se të enjten do të organizohet një konferencë, e cila do të shqyrtojë partneritetin SHBA – Shqipëri, me studiues të shquar shqiptarë dhe amerikanë, përfshirë disa të ftuar që kanë qenë në qendër të ngjarjeve 20 vite më parë, dhe ky do të jetë vetë shqyrtimi për përkushtimin tonë për të ardhmen. “Të dielën e shkuar, patëm mundësi të veçantë për të përjetuar pritjen e vërtetë të popullit shqiptar. U preka me të vërtetë nga vërshimi i dashurisë që treguan kaq shumë shqiptarë ndërsa u bashkuan me ne, për panairin e hapur sipas stilit amerikan. Ne e ndjejmë ngrohtësinë e popullit shqiptar dhe shprehjen e sinqertë të miqësisë së tyre ndaj Amerikës”- tha ambasadori i SHBA-së në Tiranë, Aleksandër Arvizu, i cili përfundoi duke falenderuar për këto 20 vite të mrekullueshme.


Ish-Ambasadori Rajerson kujton 20 vjetorin e rifillimit të marrëdhënieve


Ish ambasadori amerikan në Tiranë, Uilliam Rajerson, i cili qëndroi në Shqipëri nga viti 1991 deri më 1994, thotë se interesat e të dy vendeve janë krejtësisht të njëjta – demokraci, tregje të lira dhe qëndrueshmëri. Ai i bëri komentet në një intervistë që i dha Zërit të Amerikës me rastin e 20-vjetorit të rifillimit të marrëdhënieve diplomatike, ku solli edhe kujtimet e tij për atë kohë si dhe foli për rolin e ambasadorit të tanishëm në Shqipëri. Ish ambasadori amerikan në Shqipëri, Uilliam Rajerson, jeton në njërën nga periferitë e largëta të Uashingtonit, në një kodër plot gjelbërim. Nga ballkoni i tij mund të shijosh një pamje të rrallë, edhe në një ditë me shi si kjo. Nga librat dhe objektet e tjera që e rrethojnë mund të kuptosh lehtë se z. Rajerson i ka mjaft për zemër vitet që kaloi në Shqipëri si ambasadori i parë amerikan në Tiranë pas rifillimit të marrëdhënieve në vitin 1991. Ai ruan madje flamurin që u ngrit në ndërtesën e ambasadës më 1 tetor 1991, kur ajo rifilloi nga funksionimi. “Flamuri u ngrit nga Andromaqi Gallani, e veja e zotit Loni Adami, i cili dikur kishte qenë përkthyes i legatës amerikane. Adami, i cili kishte mbaruar shkollën e Harri Fullcit, u burgos, u torturua dhe vdiq në burgjet e Hoxhës. Prandaj ne menduam se ishte diçka simbolike që flamurin ta ngrinte pikërisht ajo”. Zoti Rajerson tregon se ai nuk ndodhej në Tiranë kur u ngrit flamuri sepse iu desh të qëndronte në Uashington deri sa të bëhej konfirmimi i tij nga Senati si ambasador në Shqipëri. Ai u kthye në Tiranë disa javë më vonë. Rajerson kujton se sa emocionuese ishte për të hyrja në ndërtesën e dikurshme të ambasadës, e ndërtuar shumë dekada më parë me ndihmën e nxënësve të shkollës së Fullcit në Tiranë. “Ishte një ngjarje aq e gëzueshme sa që vazhdoi të më linte pa gjumë për net të tëra. Në fakt, e gjithë situata ishte e gëzueshme sepse Shqipëria kishte filluar tranzicionin nga një regjim që dihet si ishte në një regjim të ri. Natyrisht, mobiliet në ndërtesë ishin të vjetra, divani nuk ishte i rehatshëm por gjithçka tjetër ishte mjaft e këndshme”. Në atë kohë, tregon ish ambasadori, Shqipëria kishte nevojë të madhe për ushqime. “Ne ndihmuam në një farë mase me ushqime që kishin tepruar nga Lufta e Gjirit dhe e bëmë këtë përmes organizatës së Nënë Terezës sepse menduam që ata do t’i shpërndanin ushqimet tek njerëzit që vërtet kishin nevojë. Ky ishte edhe një rast për mua që të takoja Nënë Terezën”. Zoti Rajerson ishte në Shqipëri në një periudhë interesante, kur ndryshimet politike sapo kishin filluar. Ai e ilustron këtë me disa shenja, qoftë edhe të vogla, që vinte re në atë kohë: “Demokratët në parlament thoshin “Zoti Kryetar”, kur i drejtoheshin kryetarit të seancës, ndërsa grupi i njerëzve të Hoxhës fliste me “Shoku Kryetar”. Por pak nga pak, disa nga këta filluan të thoshin “Zoti Kryetar”. Mendova se gjërat kishin filluar të ndryshonin nga pak”. Ka kaluar shumë kohë qysh atëherë. Sot diplomatit në pension, Uilliam Rajerson, i pëlqen të reflektojë për Shqipërinë. “Presidenti Udro Uillson bëri që Shqipëria të mbetej në hartë dhe shqiptarët nuk e kanë harruar këtë. Shqiptarët janë ndoshta vendi më pro-amerikan në Evropë. Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria nuk kanë konflikte interesash. Ne nuk duam ta pushtojmë apo ta aneksojmë Shqipërinë, as Shqipëria nuk synon të pushtojë Amerikën, të marrë Misisipin apo Kaliforninë. Interesat tona janë krejtësisht të njëjta – demokraci, tregje të lira, qëndrueshmëri në Ballkan dhe në Evropë”. Rajerson nuk ka qenë në Shqipëri që nga largimi si ambasador në vitin 1994 por ai gjykon për vendin nga ato që lexon, nga takimet me njerëz që shkojnë në Shqipëri dhe sidomos nga bisedat me zyrtarë të Departamentit të Shtetit. “Shqipëria ka bërë përparim, kjo nuk ka dyshim. Problem është hendeku në të ardhurat e njerëzve, i cili duket se po thellohet. Por ky është problem edhe në Shtetet e Bashkuara. Gjithashtu, ne u predikojmë shqiptarëve nevojën që partitë politike të pajtohen me njëra-tjetrën. Po kush jemi ne që të flasim kështu? Mes demokratëve dhe republikanëve në Shtetet e Bashkuara ka një acarim po aq të madh sa edhe në Shqipëri”- thotë ai. Rajerson mendon se ka një gjë për të cilën në Shqipëri nuk po bëhen hapa përpara. “Ajo që nuk po ndryshon në Shqipëri është fakti se ende nuk po shihet drejt e në sy e kaluara. Në bisedën e parë që kam patur me Ramiz Alinë i thashë: “Zoti President, duhet të pranoni ato që kanë ndodhur në të kaluarën, ashtu siç kanë bërë gjermanët”. Ai mu përgjigj: “Kjo nuk ka të bëjë fare me ne”. Por zoti Rajerson mendon se ekziston nevoja që kjo të bëhet, pasi ka ende plagë të hapura që duhen shëruar. “Ndjekja ligjore e atyre që kryen torturat do të ishte një fillim i mirë, pra identifikimi i tyre. Si alternativë mund të ishte ngritja e një komisioni për të vërtetën dhe ri-pajtimin, ashtu siç u bë në Afrikën e Jugut, ku njerëzit të dalin e të thonë: Po, kam qenë roje në burgun e Spaçit. Kam spiunuar kunatin ose vëllanë e kështu me radhë, pasi këto gjëra jam i sigurt që kanë ndodhur”- thekson ambasadori Rajerson. Nga përvoja e tij në Shqipëri, zoti Rajerson e di se sa delikate bëhet ndonjëherë pozita e ambasadorit amerikan. Kjo ndodh sidomos kur tensionet politike rriten. “Ambasadori është përfaqësues personal i Presidentit dhe merr urdhra nga Presidenti përmes Sekretarit të Shtetit. Ndryshimet që shqiptarët shohin tek ambasadorët e ndryshëm janë ndryshime të personalitetit në mënyrën se si ambasadorët e përcjellin mesazhin e tyre. Unë u kritikova në atë kohë për ndërhyrje në punët e brendshme të Shqipërisë. Kritika ishte e drejtë sepse në atë kohë, çdo njeri që nxiste demokracinë në fakt ndërhynte në punët e brendshme të Shqipërisë dhe s’kishte si të ishte ndryshe. Unë isha dërguar atje për të nxitur demokracinë dhe tregjet e lira, për të përfaqësuar Shtetet e Bashkuara”. Por ç’mendon zoti Rajerson për ambasadorin e tanishëm amerikan Aleksandër Arvizu? “Nuk e kam takuar ndonjëherë ambasadorin Arvizu dhe më vjen keq që nuk e kam takuar sepse më ka lënë përshtypje mjaft pozitive çdo gjë që kam lexuar rreth tij. Ai po e përfaqëson me dinjitet politikën e Shteteve të Bashkuara dhe i ka thënë gjërat shumë hapur e pa dorashka, për njërën palë dhe për tjetrën. Për shembull, mënyra se si ai veproi në rastin e mosmarrëveshjeve rreth vrasjeve të 21 janarit. Ai tha se Shtetet e Bashkuara do të ndihmonin në hetimin e ngjarjes, pra le të sqarojmë se cilat janë faktet, pavarësisht se cilën palë mund të dëmtojë kjo. Mendoj se është treguar shumë i balancuar dhe shpresoj ta takoj një ditë”.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›