Autoritetet kosovare udhëtojnë drejt OKB-së, gati të përballen me Serbinë
Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu dhe ministri i jashtëm, Skender Hyseni, u nisën ditën e djeshme për në Nju Jork, për të marrë pjesë në asamblenë e përgjithshme të OKB-së, e cila me nëntë shtator shqyrton rezolutën e Serbisë. Ky shtet synon rifillimin e bisedave për statusin e Kosovës. Sejdiu me këtë rast u bëri thirrje vendeve që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës që ta bëjnë një hap të tillë duke vlerësuar se njohja e Kosovës është një ndihmë edhe për proceset integruese të rajonit. Këtë thirrje presidenti Sejdiu e bëri gjatë një ceremonie për nder të 100-vjetorit të lindjes së Nënë Terezës dhe pak orë para nisjes për në Nju York, ku së bashku me kryeminstrin Hashim Thaci dhe ministrin e jashtëm Skender Hyseni, do të qëndrojnë për disa ditë në përpjekje për të siguruar sa më shumë njohje për Kosovën. Gjatë qëndrimit atje delegacioni kosovar do të përpiqet që të pengojë edhe miratimin e mundshëm të rezolutës së Serbisë e cila synon rihapje bisedimesh për statusin e Kosovës. “Në korrik Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë i dha vulë të fuqishme legjitimitetit të shtetësisë së Kosovës. Prandaj ftojmë vendet nga të katër anët e botës që ta shpallin pranimin e shtetit tonë dhe t'ia hapin kësaj pjese të Europës juglindore udhën e integrimeve të pakthyeshme euro-atlantike”, theksoi presidenti kosovar. Presidenti para nisjes për në Nju Jork përsëriti qëndrimin se janë të kota përpjekjet e Serbisë për negociata të reja për statusin apo edhe për çështje të brendshme të Kosovës.
Ai tha më tej se Pakoja e Ahtisaarit mbetet bazë për institucionet e Kosovës dhe asgjë nga kjo nuk do të ndryshojë.
Ndërkohë, ministri i Punëve të Jashtëm, Skënder Hyseni tha se veprimi më i mirë i Serbisë është që ajo të tërheqë rezolutën para se ajo të debatohet në Asamblenë e Përgjithshme. Sipas Hysenit janë bërë të gjitha përgatitjet që kjo Rezolutë të dështojë. Presidenti Sejdiu dhe ministri Hyseni theksuan se ka sinjale të mira për njohje të reja për shtetin e Kosovës.
Tadiç për Rezolutën: “Kompromis me BE-në, por jo dialog me Kosovën”
Presidenti serb Boris Tadiç beson në gjetjen e një kompromisi me Bashkimin Europian për tekstin e Rezolutës që do paraqitet në OKB, por përjashton dialogun me liderët e Kosovës. Pas takimit me kryeministrin slloven, Barut Pahor, në Slloveni, Tadiç ka thënë se megjithëse Serbia respekton të drejtat legjitime të shqiptarëve të Kosovës, nuk mund të pranojë dialogun me zyrtarët e të ashtuquajturit shtet i Kosovës. Presidenti serb tha se është i bindur se një kompromis mund të arrihet në lidhje me tekstin e draft rezolutës serbe për Kosovën që do të paraqiten në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së më 9 shtator. Ai ka thënë se një zgjidhje mund të gjendet për të kënaqur Serbinë dhe BE-në dhe të hapë rrugën për fillimin e dialogut për zgjidhjen e cështjes së Kosovës. “Serbia nuk ka asnjë interes të vonojë zgjidhjen e çështjes së Kosovës, të ngrijë procesin apo të jetë jo konstruktive”- shtoi ai.
5 Shtator 2010