Rezoluta për Kosovën, BE-ja dhe Serbia nisin sot bisedimet
Bashkimi Europian dhe Serbia do të fillojnë ditën e sotme bisedimet lidhur me rezolutën që do të paraqitet gjatë javës në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së. Gjatë këtyre ditëve kanë vazhduar kontaktet për harmonizimin e tekstit të Rezolutës dhe kjo shihet si një përpjekje e fundit e BE-së, kur në Bruksel shefja e diplomacisë europiane, Kethrin Ashton, do të takojë presidentin serb Boris Tadiç. Kontaktet mes Brukselit dhe Beogradit zyrtar me qëllim të përafrimit të qëndrimeve rreth një dokumenti të përbashkët që do të mund të paraqitej në OKB, nga mesi i kësaj jave, pritet të intensifikohen edhe më shumë gjatë ditës së hënë, në prag të një takimi të nivelit të lartë BE-Beograd. Zyrtarë të BE-së thanë se kontaktet me Beogradin dhe Prishtinën, pas vendimit të GJND-së, janë shpeshtuar dhe në veçanti po punohet për të gjetur një zgjidhje për Rezolutën serbe të paraqitur në Asamblenë e Përgjithshme, qoftë përmes hartimit të një Rezolute të re, qoftë me ndryshimin e pjesëve të asaj që është dorëzuar në OKB. Zyrtarët europianë thonë se po bëhen përpjekje për të ndryshuar qasjen e Rezolutës serbe ndaj mendimit të GJND-së dhe posaçërisht thirrjen për bisedime për statusin e Kosovës, që për shumë vende anëtare të BE-së dhe SHBA-në është i përmbyllur. Përpjekja e fundit për harmonizimin e qëndrimeve ndërmjet Brukselit dhe Beogradit pritet të bëhet të martën, kur do të duhej të takoheshin baronesha Kethrin Ashton dhe presidenti serb Boris Tadiç. Ky i fundit ka deklaruar se mund të arrihet një kompromis për rezolutës, megjithëse thuhet se tani për tani qëndrimi serb për Kosovën nuk ka ndryshuar. Autoritetet serbe thonë se nuk e pranojnë pavarësinë e Kosovës dhe duan të hapin sërish bisedat për statusin e saj me qëllim të siç thuhet arritjes së një kompromisi. Qëndrimi serb ndërkaq është parë më shumë si përpjekje e Beogradit zyrtar për të përshpejtuar procesin e integrimit europian të Serbisë, megjithëse vlerësohet se Brukseli ua ka bërë me dije autoriteteve serbe se përplasjet me BE-në do të mund ta ngadalësojnë këtë proces. Ndërkohë ministri i jashtëm i Serbisë, Vuk Jeremiç, thotë se Beogradi nuk planifikon tërheqjen e propozim rezolutës për Kosovën në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së. “Nuk planifikojmë tërheqjen e rezolutës sonë. Por, po zhvillohen bisedime dhe negociata intensive, me të gjithë faktorët ndërkombëtarë, përfshirë edhe ata nga BE-ja”, i tha ministri Jeremiç, televizionit “B-92”.
Ai më tutje theksoi se qëllim i Serbisë është që të mundësohet vazhdimi i përpjekjes për rezistencë ndaj vendosjes së njëanshme të shtetësisë së Kosovës dhe që të “hapet rruga për negociata të reja, që të do sillnin një zgjidhje kompromisi për Kosovën”.
7 Shtator 2010