SHBA, të paktën 5 të vdekur në New York nga moti i keq
Të paktën pesë persona kanë humbur jetën si pasojë e motit të keq që ka përfshirë gjatë orëve të fundit pjesën verilindore të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, dhe në veçanti New York-un. Shumë pemë janë thyer dhe më shumë se 300 000 shtëpi kishin mbetur pa energji elektrike për disa orë ne lagjet njujorkeze të Brooklyn e Staten Island, por edhe në kontenë Westchester, në Long Island e në New Jersey. Moti i keq, shkaktoi edhe probleme në trafikun ajror, pasi shumë avionë patën vonesa apo anulime të fluturimeve.
Ndërkaq përmbytjet kanë detyruar qindra njerëz në New Jersey që të braktisin shtëpitë e tyre. Banorët e kësaj zone kanë perdorur varka apo mjete të tjera për të mundësuar lëvizjen në hapësirat dhe rrugët e përmbytura. Situata është vërtetë dramatike , aq sa në disa zona, shtëpive u dukej vetëm çatia. Niveli i lartë i ujit, erdhi si pasojë e reshjeve të shumta të shiut dhe të vazhdueshme të regjistruara në fundjavë si dhe reshjeve të dëborës që prekën pjesën me të madhe të vendit gjatë këtij dimri.