E Shtunë, 31 Tetor 2026

A duhet të ndryshojë Gjermania?

Kudo tjetër në botë, Europa konsiderohet si një kontinent, ekonomia e të cilit është tepër e ngurtë dhe sklerotike, njerëzit e të cilit janë dembelë dhe të varur nga mirëqenia sociale dhe baza industriale e të cilit është e vjetruar dhe në amortizim të vazhdueshëm; të gjithë këta elementë që pengojë një të ardhme optimiste. Ashtu si në pjesën më të madhe të klisheve, ka diçka të vërtetë edhe në këtë mes.

Megjithatë, arritjet e Gjermanisë, ekonomisë më të madhe të Europës, na rrëfejnë një histori krejt tjetër. Një dekadë më parë, Gjermania ishte e sëmura e Europës, e prekur nga një rritje e ulët dhe një papunësi shumë e lartë, me manifaktura të mëdha që janë në përpjekje të dëshpëruar të kostos më të ulët. Tashmë, pavarësisht nga recesioni, papunësia është më e ulët se pesë vjet më parë.

Edhe pse Gjermania vetëm pak kohë i la Kinës vendin e eksportueses më të madhe në botë, fuqia e eksportit të saj mbetet e pacenuar. Suficiti i saj këtë vit, si një pjesë e GDP-së, do të jetë më i lartë se ai i Kinës.

Kjo rrëzon mendimin e përhapur në Amerikë dhe në Azi për Europën, si një kontinent i zbehur tashmë ekonomikisht dhe i paaftë të ndryshojë. Dhe sa i përket pjesës së mbetur të Europës, do të kishte shumë për të thënë lidhur me një ekonomi të fortë në qendrën gjeografike dhe politike të kontinentit.

Megjithatë, suksesi i Gjermanisë, në mënyrë paradoksale, po shkakton probleme për fqinjët, që së bashku me Gjermaninë duhet t’i përballojnë ato.
Fleksibiliteti impresionues i Gjermanisë është pasojë e virtyteve të vjetra të kombinuara me të rejat. Sistemi i vjetër i ndërtimit të konsensusit ka ndihmuar punëdhënësit të mbajnë mënjanë sindikatat në momentin kur kostoja duhet të vazhdojë të jetë e ulët. Firmat e vogla dhe të mesme iu janë nënshtruar operacioneve të këtij sistemi, hap pas hapi, duke gjykuar çfarë po ndodh në Gjermani, çfarë duhet të dërgojnë jashtë dhe me çfarë duhet të furnizohen. Në të njëjtën kohë, politika ekonomike mori një drejtim të ri liberalizues.

Qeveria e Shrëderit prezantoi reforma të reja në tregun e punës dhe sistemet e mirëqenies sociale në vitet 2003-‘04; nxitur nga presioni konkurrues që vinte nga monedha e përbashkët europiane dhe bizneset gjermane i mbajtën pagat në nivel të ulët.

Kostoja e punës ra mesatarisht me 1.4 për qind në vitet 2000-‘08 në Gjermani, krahasuar me një rënie prej 0.7 për qind në Amerikë dhe një rritje prej 0.8 për qind dhe 0.9 për qind në Francë dhe Britani, respektivisht.

Megjithëse rënia ekonomike e vitit të kaluar e goditi rëndë Gjermaninë, ekonomia e saj është në formë më të mirë se një dekadë më parë, dhe kjo është një gjë që është vënë re në Francë, ku presidenti Nicolas Sarkozy ka bërë thirrje për të marrë masa urgjente për të stabilizuar ekonominë.

Gjermania është mjaft krenare për aftësinë që ka për të mbajtur nën kontroll koston dhe për të vazhduar eksportin. Por, ajo duhet të mbajë parasysh se suksesi i saj në njëfarë mënyre ka ardhur edhe në kurriz të fqinjëve europianë. Gjermanët pëlqejnë të besojnë se ata bënë një sakrificë të madhe duke hequr dorë nga marka e tyre dhjetë vjet më parë, por ata kanë përfituar më shumë se cilido vend tjetër nga euroja. Pothuajse gjysma e eksporteve gjermane shkojnë në vendet e tjetra të Eurozonës që nuk mund të gjejnë një zgjidhje për zhvlerësimin e tyre ndaj konkurrencës gjermane.

Ndërsa anglosaksonët shpenzonin pa masë para, gjermanët pëlqenin të kursenin. Investimet e brendshme nuk kanë mbaruar.

Rezultati i eksporteve të mëdha gjermane, kombinuar me hezitimin për të investuar dhe shpenzuar, janë kthyer në një përfitim të madh nga tregtia.
Kursimet gjermane janë marrë si shembull në Amerikë, por edhe në vende me probleme financiare si Greqia. Do të ishte absurde të mendonim se një Gjermani e kujdesshme duhet të paguajë për neglizhencën greke apo problemet e pronësisë në Spanjë, siç kanë thënë disa analistë thuajse “heroikë”.

Por, është e vërtetë se brenda një Eurozone me një monedhë të përbashkët, suficiti i disa vendeve balancohet me deficitin e disa të tjerave. Mungesa e balancës nuk mund të vazhdojë përgjithnjë në vendet ku ka deficite apo suficite.

E megjithatë, vendet me suficit tentojnë ta shohin veten si virtuoze dhe ato me deficit si vende që mund të ndihmohen nga të tjerat.

Përgjigja e Gjermanisë ndaj problemeve të Greqisë, Spanjës apo vendeve të tjera të Eurozonës, ka ndjekur të njëjtën linjë.

Një plan shpëtimi për Greqinë, dikur tabu, po debatohet tashmë dhe ministrat gjermanë kanë mbërritur në propozimin e një Fondi Monetar Europian. Por, ideja është se Gjermania duhet së pari të rregullojë veten, nëpërmjet reduktimit të kursimeve dhe rritjes së konsumit dhe investimeve, që janë ende të papranueshme nga qeveria e Merkelit. Është sigurisht e vërtetë se fqinjët e Gjermanisë kanë shumë punë për të bërë, gjithashtu. Franca, Italia dhe Spanja duhet të ndjekin shembullin e Gjermanisë në uljen e kostos së punës; Italia, Spanja dhe Greqia duhet të forcojnë kontrollin ndaj financave publike. Por, Gjermania gjithashtu ka nevojë të ecë përpara me liberalizimin. Rregulloret e saj janë shumë strikte, mbrojtja e punës është e ngurtë, sistemi i arsimit, shëndetësisë dhe mirëqenies duhet të ndryshojë dhe sektori i shërbimeve është ende nën nivelin e duhur të zhvillimit.

Nuk të duhet të jesh fanatik i tregut të lirë për të kuptuar se të nisësh një biznes në Gjermani është shumë e vështirë. As këto ndryshime nuk e bëjnë të kuptimtë reduktimin e ndihmës qeveritare. Shumë pak gra punojnë me kohë të plotë, pjesërisht sepse mbështetja në kujdesin për fëmijët mungon. Tendenca demografike e vendit është e zymtë. Një program i reformave strukturuese do të ishte i nevojshëm për të nxitur konsumin dhe investimet. Gjermania mund të përballojë reduktimin e taksave të vlerës së shtuar pa cenuar financat publike. Nëse Gjermania do të ngrinte pak kokën, do të kuptonte se kjo është në interesin e saj dhe të qytetarëve të saj, por edhe të vendeve të tjera të Eurozonës. Monedha e përbashkët europiane, ashtu si edhe vetë Bashkimi Europian, i detyrohen shumë kryesisë së dikurshme gjermane. Kur kjo të humbasë, monedha dhe klubi europian do të vuajnë dhe Gjermania do të jetë vetë mes humbësve.

(The Economist)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›