SHBA, thirrje partive politike për zgjedhje paqësore

Kur duhet rreth një javë nga mbajtja e zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare, përfaqësitë diplomatike, ftojnë aktorët politike të bashkëpunojnë për një klimë të qetë zgjedhore. Pas Bashkimit Evropian edhe Shtetet e Bashkuara në prag të zgjedhjeve të 28 qershorit i ka bërë apel klasës politike shqiptare të ruajë klimën paqësore. Ky reagim i ambasadës Amerikane në Tiranë, vjen një ditë pas vrasjes së kreut demokristian të Malësisë së Madhe, Aleks Keka.
Ndërkohë nga ana e tyre, ndërkombëtarët nuk po e trumbetojnë këtë vrasje si politike. Ambasada Amerikane i bën thirrje klasës politike shqiptare për zgjedhje të qeta, ashtu si dhe presidenca çeke e BE-së, e cila apeloi për qeverinë shqiptare dhe partitë politike që të punojnë së bashku për të siguruar se zgjedhjet do të mbahen në mënyrë paqësore dhe se të gjithë ata që dëshirojnë të votojnë më 28 qershor kanë mundësi ta bëjnë këtë. Pothuajse i njëjti mesazh mbërrin për aleatët politikë në vendin tonë edhe nga Departamenti Amerikan i Shtetit, i cili i bëri thirrje qeverisë shqiptare dhe gjithë aktorëve politikë në vend, që të punojnë së bashku për të ruajtur një klimë paqësore në të cilën të gjithë shqiptarët që dëshirojnë të votojnë, ta bëjnë këtë duke qenë të qetë dhe në paqe më 28 qershor. Në një deklaratë të posaçme shtypi, për shtyp, zëdhënësi i ambasadës amerikane Biks Aliu është shprehur për pritshmërinë e SHBA-së që zgjedhjet që po vijnë të jenë në përputhje të plotë me standardet ndërkombëtare. Nxisim qeverinë e Shqipërisë dhe të gjithë aktorët politikë që të punojnë së bashku për të ruajtur një klimë paqësore, në të cilën të gjithë shqiptarët që dëshirojnë të votojnë, ta bëjnë këtë duke qenë të qetë dhe në paqe më 28 qershor. Edhe një herë, shprehim shpresën dhe pritshmërinë tonë që zgjedhjet që po vijnë të jenë në përputhje të plotë me standardet ndërkombëtare, thuhet konkretisht në deklaratën për shtyp, të zëdhënësit të Ambasadës së SHBA-së në Tiranë. Një ditë më parë, një apel të tillë përcolli edhe presidenca çeke e BE-së, e cila vlerësoi zgjedhjet e 28 qershorit, një test të rëndësishëm të pjekurisë së demokracisë në Shqipëri. Në një deklaratë të shpërndarë në Tiranë thuhej se BE po e ndjek nga afër procesin dhe se është në interesin e Shqipërisë, që këto zgjedhje të jenë paqësore dhe që ato të vlerësohen në përmbushje me standardet ndërkombëtare. Deklarata ripërsërit se zgjedhjet e 28 qershorit do të jenë një test i rëndësishëm i pjekurisë demokratike dhe i vullnetit për të ecur përpara drejt integrimit të ngushtë me BE. Gjithashtu, në këtë deklaratë të Bashkimit Evropian në lidhje me procesin zgjedhor të 28 qershorit, BE u bëri apel forcave partiake që të tregohen të matua dhe të ulin tension që ka përfshirë zgjedhjet.