Pollo: Mandati i dytë, bilanci i rrugëve të shtruara dhe i ujit
Zëvendëskryeministri, njëkohësisht dhe numri një në listën e kandidatëve për deputetë në qarkun e Beratit, Genc Pollo, mori pjesë dje në një tubim elektoral në fshatin Peshtan të komunës Vërtop, ku prezantoi dhe kandidaten për deputete në qarkun e Beratit, Miranda Haxhiaj.
Banorët e fshatit Peshtan falënderuan zëvendëskryeministrin për premtimet e mbajtura gjatë këtij mandati dhe e njohën atë me problemet e tyre, duke kërkuar mbështetjen dhe vëmendjen e qeverisë së Partisë Demokratike për zgjidhjen e këtyre problemeve. Ky takim është rasti i mirë për të diskutuar për punët dhe problematikat e fshatit. Programet mbështetëse të qeverisë për bujqësinë kanë funksionuar dhe skema ka dhënë rezultate mjaft të dobishme për rritjen e prodhimeve bujqësore, kështu është rritur edhe mirëqenia juaj, tha Pollo. Ai u ndal më tej në prioritetet e qeverisë për 4 vjetarin e ardhshëm: Zhvillimi i vërtetë vjen kur rriten investimet në infrastrukturë. Qeveria këto 4 vite ka bërë mjaft projekte madhore, si ajo e rrugës Durrës-Kukës, mirëpo duhet bërë edhe më tepër. Dy janë prioritetet e qeverisë së Partisë Demokratike në mandatin e dytë qeverisës: të gjitha rrugët me asfalt dhe uji i pijshëm për çdo shtëpi. Të dyja këto janë gjëra konkrete dhe të realizueshme, ngase në 2005 premtuam drita dhe e mbajtëm premtimin tonë. Sot kemi drita, ndërsa në fund të 4 vjetarit të ardhshëm ne do bëjmë bilancin në drejtim të rrugëve dhe të ujit, përfundoi Pollo.