E Shtunë, 31 Tetor 2026

SHBA uron popullin e Kosoves

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barak Obama i ka dërguar një telegram urimi presidentes së Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, me rastin e katërvjetorit të shpalljes së pavarësisë. “Në emër të popullit amerikan, unë ju përgëzoj për përvjetorin e katërt të Ditës suaj të Pavarësisë. Që nga shpallja e saj si shtet sovran, i pavarur, më 17 shkurt 2008, Kosova ka bërë përparim të rëndësishëm në ndërtimin e një demokracie multietnike, pluraliste dhe tolerante në zemër të Ballkanit", shkruan Obama në mesazhin e tij.
Më herët, në emër të presidentit të SHBA-së, Barak Obama, Sekretarja Amerikane e Shtetit, Hillari Klinton, ka uruar popullin e Republikës së Kosovës për përvjetorin e katërt të pavarësisë. “Kosova mund të jetë shtet i ri, por ju keni një të ardhme premtuese dhe Shtetet e Bashkuara angazhohen për mbështetjen e një Kosove të pavarur, sovrane dhe multietnike. Përgëzoj udhëheqësit e Kosovës për përkushtimin e tyre ndaj aspiratave të qytetarëve kosovarë, përmes institucioneve demokratike”, thuhet në mesazhin e zonjës Klinton. Kryediplomatja amerikane ka thënë po ashtu se SHBA-ja do të punojë me popullin kosovar për një Kosovë më të sigurt, më paqësore. Kosova ka shpallur pavarësinë më 17 shkurt të vitit 2008 dhe deri më tani është njohur nga 87 shtete. Haiti është vendi i fundit që ka pranuar shtetësinë kosovare.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›