E Shtunë, 31 Tetor 2026

Emergjencat ne ndihme te banoreve ne Veri

Ministria e Brendshme në një deklaratë mediat për situatën në veri të vendit dhe konkretisht për zonat e bllokuara ka theksuar se rrugët Nacionale janë të gjitha të kalueshme. Sipas zëdhënësit të kësaj ministrie Fatmir Konja aksi Kukës-Qafë Prushë është hapur pjesërisht, ndërsa Rruga e Kombit është lehtësisht e kalueshme, kurse Muhur-Arrëz i qarkullueshëm me zinxhirë, ndërsa janë për t’u hapur edhe 500 metra rrugë në Dardhë të Korçës.
Gjithashtu Konja theksoi se janë ndihmuar të gjithë banorët në nevojë në këto zona. Kështu janë transportuar me helikopter në Pukë me dy të sëmurë, u është dhënë ndihmë mjekësore dy grave dhe një fëmije, sikurse është komunikuar edhe me të gjithë banorët e Lekbibajt të izoluar nga bora dhe janë transportuar 3 tonë ushqime në Temal të Shkodrës.
Ndërkaq Ministria e Transporteve në një deklaratë për mediat ka informuar për akset e rrugëve në zonat e bllokuara nga bora në veri të vendit. Sipas zëdhënëses së kësaj ministrie Arminda Qylafku, është punuar gjatë gjithë ditës në disa akse për hapjen e tyre. Kështu aksi Bulqizë-Stëblevë është hapur me një kalim, ndërsa po punohet për hapjen e aksit Kukës-Shishtavec. Ndërkaq akset e kalueshme me zinxhirë deri në 18:00 janë:
Aksi Kukës-Qafë Shllak qarkullohet me zinxhirë
Aksi Qafë Buall- Topojan e kalueshme me zinxhirë
Aksi Krumë Qafë Prushë i kalueshëm me zinxhirë
Aksi Qafë Buall-Krastë është kalueshëm me zinxhirë
Aksi Qafë Buall-Krastë i kalueshëm me zinxhirë
Ministrat Sokol Olldashi dhe Arben Imami paraqitën në Kuvend situatën më të fundit për qarqet e shpallura në gjendjen e fatkeqësisë natyrore. Ministri i Punëve Publike tha se nga mbi 3 mijë km rrugë nacionale rreth 6% e tyre janë të bllokuara. Olldashi tha se po punohet 24 orë për të zhbllokuar ato dhe rrugët që lidhin komunat. Ndërsa ministri i Mbrojtjes Imami paraqiti drejtimet ku janë fokusuar Forcat e Armatosura dhe bëri me dije se ato u stërviten përgjatë 2011-ës në trajnime të veçanta për përballimin e fatkeqësive natyrore
Po sot një helikopter i forcave të armatosura ka transportuar nga Shkodra në zonat e thella malore mjek, infermier dhe ilaçet e domosdoshme për pacientët në këto zona. Helikopteri fillimisht ka fluturuar në drejtim të Vermoshit, për të vijuar më pas me fluturimet për në zonat malore të Dukagjinit. Infermierja e fshatit Bruçaj të Komunës Pult të Dukagjinit shprehet se për arsye të vështirësive të motit, transportimi bëhet me anë të helikopterit dhe se ajo së bashku me stafin mjekësor po presin për t’u transportuar në zonë, pasi atje ndodhen infermierët e tjerë, që prej dy javësh, të cilëve u kanë marrë edhe ushqimet.
Operacionet e transportimit të stafeve mjekësore por edhe të transportimit të sëmurëve nga zonat e thella malore ku trashësia e dëborës arrin mbi 2 metër janë drejtuar nga Prefektja e Shkodrës në koordinim me drejtuesit e Komunave në zonat malore.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›