SHBA, viktima dhe përmbytje nga uragani Irene

Disa ditë pas një tërmeti jo të zakontë, zonat me popullsi të dendur të bregut lindor të Shteteve të Bashkuara u goditën nga uragani Ajrin që më pas u kthye në stuhi tropikale. Të paktën 15 vetë kanë vdekur për shkak të stuhisë, për përballimin e të cilës u mobilizuan masivisht qeveritë federale, shtetërore dhe lokale.
Për tri ditë, Ajrin përfshiu bregun lindor të Shteteve të Bashkuara me erëra të fuqishme dhe shira të rrëmbyeshëm. Megjithëse stuhia nuk mori me vete komunitete të tëra, shkatërrime ka patur në shkallë të gjerë, me mijëra kilometra katrore sipërfaqe të përmbytura, pemë të rrëzuara, shtëpi të dëmtuara , ndërprerjen e energjisë elektrike dhe bllokimin e rrugëve.
Një banor i Uashingtonit , i cili u prezantua me emrin Leonard, kaloi një natë të frikëshme me gjithë familjen pasi një pemë gjigante ra mbi shtëpinë e tij.
"U duk sikur stuhia u zbut, por pastaj krejt pa pritur këta drurë lisi filluan të binin mbi shtpi. Ishte e frikëshme. Unë kam dy fëmijë të vegjël, një dy vjeç e gjysmë dhe një tjetër një vjeç” theksoi ai.
Një numër i madh udhëtarësh mbetën të bllokuar nëpër aeroporte pas anullimit të mijëra fluturimve. Ajrinë shkaktoi që të mbyllej për herë të parë në histori metroja e Nju Jorkut.
Por banorët e qytetit duket se e pritën me guxim stuhinë, përfshirë edhe pronarin e një dyqani ushqimor, Faris Algabon.
"Njerëzit kanë blerë shumë gjëra në përgatitje për një stuhi të fuqishme, por nuk ndoshi ndonjë gjë e madhe. Ne e mbyllëm dyqanin vetëm për nja dy orë. Tani e kemi hapur dhe mund të vazhdojmë punën”.
Ndryshe nga tërmeti i javës së kaluar, uragani Ajrinë pritej prej disa ditësh. Kryetari i Bashkisë së Nju Jorkut, Majkëll Blumberg pati këtë mesazh të thjeshtë për banorët e qytetit.
"Gjithëkush duhet të jetë e përgatitur të hyjë brenda dhe të qendrojë brenda”.
Në shumë zona pritet të ketë një periudhë të gjatë pastrimi dhe rimëkëmbjeje. Guvernatori i Nju Xhersit, Kris Kristi tha:
"Ne nuk e dimë se çfarë dëmesh janë bërë, sa pemë janë rëzuar mbi trenat e Nju Xhersit. Na duhet të pastrojmë rrugët nga pemët e rrëzuara”.
Uashingtoni premtoi ndihmë federale dhe sekretarja e Sigurisë Kombëtare, Xhenet Napolitano bëri këtë paralajmërim:
"Ne nuk jemi ende jashtë rrezikut. Ajrinë mbetet një uragan me shtrirje të gjerë dhe i rrezikshëm. Gjendja është e rrezikshme në komunitetit ku stuhia tashmë ka kaluar”.
Megjithë uraganin disa aktivitete nuk mund të shtyheshin, përfshirë edhe një dasëm në Nju Jork. Nusja, Semi Miller foling shkallët e kishës së saj.
"Kjo është një ditë shumë e rëndësishme dhe planet nuk mund të anullohen”.
Po ashtu edhe lindja e disa bebeve nuk mund të shtyhej. Në Uilmington të Karolinës së Veriut, Kristen Elliot përkundte vajzën e saj të porsalindur.
"Pata një parandjenjë se bebja do të lindte pikërisht gjatë uraganit” theksoi ajo. Ajrin pitet të shuhet pasi të arrijë Kanadanë.