Ohri rrezikon të hiqet nga lista e UNESKO-s

Ekziston mundësia që Ohri të fshihet nga lista e qyteteve të mbrojtura nga UNESKO, në të cilën gjendet që nga viti 1980. Një paralajmërim serioz mbërriti nga drejtoresha e përgjithshme e UNESKO-s, Irina Bokova, e cila këto ditë po qëndron në Maqedoni. Në takim me ministren e Kulturës, Kançevska- Milevska, ajo kërkoi kujdes më të madh edhe nga shteti edhe nga autoritetet lokale.
“Në qoftë se nuk plotësohen kriteret, ka mundësi që të fshiheni nga lista. Megjithatë, nuk bëhet fjalë për kërcënim direkt, por duhet të jeni të kujdesshëm, sidomos kur bëhet fjalë për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore. Kur flasim për rajonin e Ohrit, ne ballafaqohemi me sfida të mëdha. Nga njëra anë, ne dëshirojmë që të mbrohet autenticiteti, ndërsa nga ana tjetër kemi ndërtim të infrastrukturës moderne”, u shpreh ajo.
Sipas drejtoreshës së përgjithshme të UNESKO-s, duhet të gjendet kompromisi mes së vjetrës dhe modernes.